16 maj 1943, kur dy legjendat shqiptare sfidoheshin në Romë!
 Anton Cicani  22/6/2012


Më 16 maj 1943, në
    stadiumin “P.N.F” (Partia Nacionale Fashiste) në Romë, u zhvillua ndeshja mes Lacios dhe Romës, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Italisë. Ndeshja ishte rasti për të parë edhe sfidën e shumëpritur mes dy futbollistëve shqiptarë më të aftë dhe të famshëm në atë periudhë: Naim Kryeziu, sulmues krahu te verdhekuqtë dhe Loro Boriçi, qendërsulmues te bardhekaltërit. Dy futbollistët mund të ishin përballur edhe dy sezone më parë, por fati deshi që për një motiv, apo për  një tjetër, sfida u shty  deri në datën e mësipërme. Në fushë, doli i fituar Naim Kryeziu, që shënoi edhe një gol në 43’ të pjesës së parë dhe ndihmoi Romën që të fitonte 2-1, duke arritur që të kualifikohej në gjysmëfinalen e atij edicioni të Kupës së Italisë, ndeshje që më pas kaloi në histori për incidentet dhe për skualifikimin e përjetshëm të Amadeit që u pretendua se goditi me shqelm vijërojtësin (në të vërtetë u godit nga një tjetër).
Derbi i ‘43-shit nuk mbahet mend për atë që u pa në fushë, por për kontrastet mes  Kryeziut dhe Boriçit. I pari, Naimi, sapo kishte kaluar fazat e adoleshencës kur shkelte në fushat e kampionatit shqiptar. Mbërriti në Itali në vitin 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë. Jashtëzakonisht i shpejtë dhe i pajisur me një teknikë “të kulluar”, u federua nga AS Roma pas një prove formale në fushën legjendare “Campo Testaçio”.  Klubi verdhekuq bëri një marrëveshje të artë: për pak lireta rrogë, siguroi një talent të rrallë, që për vite bëri që të çmendeshin mbrojtësit kundërshtarë, të lënë sistematikisht “në vend”, falë shkathtësisë dhe startit, fituar në vitet kur i ishte përkushtuar  atletikës. Ajo që bëri në Romë “Shigjeta e Tiranës”  ka kaluar në histori: 7 vjet qëndrim në kryeqytet, 122 ndeshje dhe 27 gola, por sidomos thjeshtësia mahnitëse  për të dhënë asiste për shokët e ekipit, mes të cilëve edhe Amedeo Amadei, i thërritur “fornaretto”, që pikërisht falë asisteve dhe krosimeve të sulmuesit shqiptar shënonte “orteqe” golash.
Përmes këtij tandemi ofensiv Kryeziu-Amadei, Roma siguroi titullin e saj të parë në sezonin 1941-1942. Në vitin 1947, verdhekuqtë i besuan të riut argjentinas Bruno Pesaola dhe Kryeziu u transferua te Napoli, ku qëndroi për 5 vjet, duke treguar në fushë të gjitha cilësitë dhe karakteristikat që e ndihmuan të bëhej i famshëm. Pasi mbylli karrierën, Kryeziu tentoi që të provonte si trajner, por bëri shumë pak, duke u kufizuar  që të stërviste për rreth një dekade te diletantët (Almas Roma, skuadër historike dhe prestigjioze), me të cilën fitoi një Kupë Italie për diletantë. Ndoshta kujtimi më i mirë i Kryeziut si trajner është ai i sezonit 1963-1964, kur u thërrit në stolin e Romës për një ndeshje, për të zëvendësuar të dorëhequrin Alfredo Foni, pëprara se klubi t’ia dorëzonte “çelësat” e ekipit spanjollit, Luis Miro Donate.
Si seleksioner pati meritën se zbuloi Xhuzepe Xhaninin, “Princin” e mbrëmjeve magjike të Botërorit 1990 dhe “fari” i mesfushës së Romës në mesin e viteve  ’90 dhe të Kombëtares së Viçinit. Kryeziu jetoi gjithmonë në Itali,  në Romë, qyteti “i tij”, ku edhe vdiq në 20 mars 2010, pas një karriere futbollistike shumë me fat në kampionatin italian dhe “pa gjurmë” në Shqipëri, aty ku u kujtua shumë pak.

Tjetër histori është ajo e Loro  Boriçit: eksperiencë anonime në Serinë A italiane, ku ishte i njohur si Lorenco Boriçi, por një idhull i padiskutueshëm në Shqipëri. Flamur i Kombëtares. Futbollisti dhe trajneri më i mirë i historisë së futbollit shqiptar, që i dedikoi edhe stadiumin e Shkodrës, që është i dyti për nga kapaciteti. Loro Boriçi ishte një“bomber race”, shumë i fuqishëm dhe i shpejtë. U ble nga SS Lacio në vitin 1941 nga Vllaznia, për të bërë dyshe me Silvio Piolën. Qëndroi në Itali për 3 sezone, në të cilat nuk arriti kurrë që të linte shenjë: vitin e parë u impenjua në 18 ndeshje, në të cilat realizoi vetëm 3 gola. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, edhe për shkak të vështirësive të hasura, ndryshe nga Kryeziu, vendosi të kthehej në Shqipëri. Ky ishte edhe fati i tij. Në kampionatin shqiptar u dallua për: paraqitje dhe gola me Vllazninë e Partizanin. Por ishte ajo që arriti në Kombëtare, ku luajti 24 ndeshje dhe shënoi 6 gola, që e bëri “të pavdekshëm”. Ishte kapiten dhe udhëheqës i padiskutueshëm në përfaqësuesen që fitoi Kupën e Ballkanit, më 1946 – turneu i parë europian pas Luftës së Dytë Botërore – kompeticion ku edhe u shpall golashënues. Federata i dha për shumë vite drejtimin e Kombëtares, me të cilën mes vitit 1965 dhe 1968 arriti të ndalte Irlandën e Veriut të Xhorxh Bestit dhe Gjermaninë Perëndimore nënkampione Bote (ndeshja ku Shqipërisë  iu anulua edhe një gol i rregullt). Historike ishte edhe fitorja 3-0 ndaj Turqisë. Nën drejtimin e Partizanit iu afrua shumë triumfit në Hanoi – një minikampionat i klubeve ushtarake në vendet komuniste - më 1963, ku u mund vetëm në kohën shtesë nga CSKA Moska.

Pra, Naim Kryeziu dhe Loro Boriçi kanë jetuar dy jetë krejt të ndryshme dhe të kundërta, ku të vetmet pika kontakti janë atdheu, Shqipëria, qyteti ku luajtën dhe jetuan, Roma, dhe ajo ndeshje e famshme e vitit 1943 në stadiumin “P.N.F”, dy hapa larg lumit Tevere…

 

 

 

 

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich