Bashkim Muhedini, portieri që 26 vjeç ia “hoqën” dorezat
 Nga Albano Kolonjari, SHBA   27/5/2012

“Më në fund, dikush u kujtua edhe për mua”, thotë Bashkim Muhedini, teksa të uron mirëseardhjen. Në Bronx, ulur në klubin “Portofino”, ku të gjithë e thërrasin shkurt Baçi, Muhedini  është I gatshëm të rrëfejë historinë e tij, momentet brilante dhe ato të hidhura. Kur kthehet pas në vite të duket krejt tjetër: gjallërohet, fjalët ngatërrohen (s’është punë “harrese” gjuhe, ngaqë ka vite larg Atdheut) e ndonjë pikë loti i rrëshqet ashtu si padashur. Duart, ato duar që dikur të dukej se “mbulonin” tërë hapësirën e portës, tashmë I dridhen.

Nuk është emocioni I zakonshëm I këtyre rasteve. Nostalgjia përzihet me një lloj revolte për atë kohë kur, përkundër shkëlqimit në fushë iu ndesh të përballonte çmenduritë e regjimit të Hoxhës. Nga një “i përkëdhelur” – Bashkimi ishte dhëndrri I anëtarit të Byrosë Politike, njëherësh dhe Ministër i Mbrotjes të saj kohe, Beqir Balluku – u kthye në një “të padëshiruar”, meqë vjehrri I tij u shpall “armik I popullit dhe I Partisë”! Ishte vetëm 26 vjeç, kur u detyrua të hiqte dorezat…

“Transferim”

“Kam lindur në Tepelenë, në vitin 1949”, thotë Baçi, “por me origjinë jam nga Frashëri I Përmetit. Vij nga një familje e madhe. Ne ishim 6 vellezër dhe tri motra. Vellezërit më të mëdhenj ishin partizanë. Pas luftës, ata u vendosën në Tiranë, dhe më morën me vete. Isha vetëm 3 vjeç”.  

Hapat e parë

“Futbollin, si të gjithë të asaj kohe, e kam filluar që fëmijë. Kam luajtur te Fusha e zezë, te Fusha e Shallvareve, te Liqeni deri sa vajta në Shkollën “Skënderbej”. Atje, fillimisht u aktivizova në basketboll, por shumë shpejt iu ktheva futbollit. Trajneri im i parë ka qenë Ismet Meçe. Në atë kohë merrnim pjesë në Spartakiadën e Tiranës. Por, ai që më thithi përfundimisht te futbolli ishte Bejkush Birçe, në atë kohë pedagog i edukimit fizik në shkollën tonë. Te Partizani më kanë drejtuar Refik Resmja, Rexhep Spahiu, Loro Boriçi, Kolec Kraja etj. Ndër ta më shumë kohë kam kaluar me të madhin Loro Boriçi, që më mori dhe në ekipin kombëtar”.

 

“Gradimi”

Ishte një periudhë e vështirë te Partizani. Skuadra kishte ngelur vetëm me Mikel Jankun. Me morën nga të rinjtë dhe më “graduan” në ekipin e parë. S’I kisha mbushur të tetëmbëdhjetat... Ishte nder të luaje për Partizanin, ishte një nga ekipet më të mirë të vendit, krahas 17 Nëntorit (Tirana e stome), Dinamos, Vllaznisë e Flamurtari. Çdo bluzë është e rëndë për atë që e vesh, por bluza e Partizanit, kishte diçka të veçantë. Të kuqtë ishin ekipi më popullor në Shqipëri”.

Start

“Ishte sezoni 1969-1970. Aktivizimi i parë ka qenë në Kupën e Republikës (sot e Shqipërisë). Trajner ishte Refik Resmja. Mesa mbaj mend mund ta aktivizonte Mikel Jankun, sepse ishte i grumbulluar me Kombetaren. Megjithatë “kishte radhë”: portier I dytë te Partizani ishte Fatmir Leli. Ndaj Luftëtarit, pas pjesës së parë të fituar 2-0, Resmja më besoi portën. Ndërsa ndeshja e parë e plotë, edhe ajo nuk më shlyhet nga kujtesa: kemi luajtur e fituar pastër, 3-0 ndaj 17 Nëntorit. Po atë vit fituam Kupën”.

Paraardhësi

“Mikel Janku më ka ndihmuar shumë. Kishte raste që nuk bënte stërvitje vetë dhe vinte më ndihmonte mua. Për mua mbetet profesori që më mësoi gjithçka kishte grumbulluar nga përvoja e tij e shkëlqyer. Dhe të zije vendin e Mikel Jankut në portë ishte shumë e vështirë. Jam i nderuar që e kam njohur dhe kam punuar me të”.

Ylli im e ka emrin Panajot Pano

“Panajot Panon e kam patur shumë mik. E kam njohur familjarisht. Për vlerat e tij si njeri ishte i pakrahasueshëm. Sportist shumë i  madh. Duhet të kalojë shumë kohë për të patur një futbollist si Joti. Më ka ndihmuar shumë. Kur më thirrën në Kombëtare për herë të parë dhe u grumbulluam në malin e Dajtit, Panajoti më mori në dhomën e tij. Po kështu edhe kur u grumbulluam në Vlorë. Më jepte këshilla si të punoja, më fliste me passion e më nxiste: “O nise rrugën, ose mos e nis fare, se rruga nuk lihet përgjysmë”, më thoshte. Me të drejtë është cilësuar “Mbreti” i futbollit shqiptar”.

Loro Boriçi, më I madhi

“Loro Boriçi është trajneri më i madh i futbollit shqiptar. Falë aftësive të tij, ne arritëm të fitonim Kupën Ballkanike me Partizanin në vitin 1970. Ishte një njeri i shkëlqyer. E donin dhe e respektonin kudo, gëzonte një popullaritet të madh. Kam pasur fatin e madh ta kem trajner tek Partizani dhe në ekipin Kombëtar”.

 

Debutimi në portën e Kombëtares

“Ndeshjen e parë ndërkombëtare e kam luajtur në Rumani me ekipin Shpresa. Luanin përballë Greqisë. Rezultati ishte 2-0 për helenët. Në portë ishte Koço Dinella. Terreni ishte i veshtirë dhe Dinella nuk ishte në formën e tij më të mirë.  Loro Boriçi më thotë: “Zhvishu dhe bëhu gati”. Në fillim hezitova. Ishin 10 minutat e fundit te takimit: “Çfarë mund të bëj”, i them, “nuk kam bërë as nxehjen e duhur. Në këtë moment hidhet Ramiz Pregja: “Futu mor djalë, kjo është ndeshja e parë për ty. Futu dhe provo veten”.

Ndeshjen e parë me Kombëtaren e kam luajtur përballë Gjermanisë Lindore në Karlsruhe në vitin 1971. Gjermanët fituan me rezultatin 2-0. Ishin superiorë. Kam pritur aq topa në atë ndeshje, sa m’u duk sikur takimi përfundoi 12-0 për gjermanët. Pak muaj më vonë fituam me Turqinë në Tirane 3-0 dhe kjo ishte fitorja e parë dhe e vetme me bluzën e përfaqësueses”.  

Pengu

Në uebsajtet e futbollit, emri i Bashkim Muhedinit figuron si portier i Partizanit deri në vitin 1975. ”Kam qenë pjesë e Partizanit deri në vitin 1976. Qëndrova në klub, por isha i pezulluar dhe nuk mund të aktivizohesha. Partizani në atë periudhë nuk kishte portier të qëndrueshëm. Mbaj mend që hoqën Arian Hoxhën sepse pësoi 4 gola. Qirko nuk mund te luante tek Partizani. Në ndeshjen me Flamurtarin më futën. Fituam 1-0. Takimin tjetër e kishim me Dinamon. Po të fitonim, fitonim edhe titullin kampion. Por, pak para ndeshjes më komunikuan vendimin e FSHF-së, përjashtimin nga klubi i Partizanit. Vite më vonë mësova se, pas vendimit të Federatës qëndronte një anëtar I Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Dhëndrri i tij kishte luajtur për Dinamon dhe ishte një prej drejtuesve të sportit shqiptar. Ishte ai që i kishte kujtuar vjehrrit se kush isha… Dhe me një gur u vranë dy zogj: mua më hoqën nga Partizani dhe Dinamo fitoi titullin Kampion”.

 

Përtej Oqeanit

Bashkim Muhedini është gjithmonë në ndjekje të futbollit. Pak vite më parë drejtoi në Nju Jork, ekipin e NYC Albania, që kishte në përbërje futbollistë joprofesionistë, madje të moshës mbi 30 vjeç. Pas një sezoni të mirë, Baçi dha dorëheqjen, si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve me stafin drejtues. Por kjo nuk ishte hera e parë që ish-portieri i Partizanit drejtonte një skuadër futbolli. Pas përjashtimit nga Partizani, për arsye politike, Muhedini punoi fillimisht mësues në Zall Bastar të Tiranës. “Kam drejtuar skuadrën e Permetit për pesë vite. Pas viteve 90-të, në Tiranë, në përpjekje për të bërë diçka, mora një ekip femijësh”, thotë Muhedini.

“Futbollin e ndjek, e kam pasion. Por nuk jam me këtë futboll që luhet sot në Shqipëri. Ata që sponsorizojnë futbollin japin shuma të mëdha për futbollistët e tyre, por ata njëkohësisht kanë vrarë pasionin për futbollin, pasi shpesh janë ata që luajnë në tavolina. Kur luaja unë, Pano, Bizi, Janku, Lin Shllaku etj, jo vetëm që ishim të apasionuar mbas futbollit, por kishim një shpirt të lartë gare e sacrifice, kishim besim tek vetja dhe i shërbenim kolektivit. Sot është e vështirë të gjesh një ekip të tillë në Shqipëri.

Ka një ndryshim shumë të madh midis Kombëtares së djeshme dhe kësaj të sotme. Lojtaret që grumbullohen aktualisht, shumica luajnë dhe stërviten jashtë me trajnerë më profesionalë se trajnerët shqiptarë. Kushtet stërvitore, regjimi dhe organizimi jane të krejt tjetër. Nga të gjitha anët janë më superiorë. Por në fushën e lojës, ata më shumë luajnë në mënyrë individuale, sikur duan të thonë: unë jam ky! Aty nuk ka kohë të tregosh se kush je, aty duhet të japësh gjithçka ke, që të arrihet rezultati”.

Na kanë harruar!

“Ministria ne linjës Federata e Futbollit duhet të punojnë së bashku dhe të përpilojnë një ligj, nga i cili, të gjithë ish - futbollistët e Kombëtares, përpara viteve ‘90-te të përfitojnë pension. Në fund të fundit, ne ishim lojtarë “profesionistë” që paguheshim nga shteti dhe Ministria duhet të na japë pensionin që na takon. Dhe bëhet fjalë për rreth 25-30 ish - futbollistë të ekipit kombëtar. Nuk janë shumë, apo jo ?”.

Ndeshjet e Muhedinit me ekipin Kombëtar

 

12.06.1971 Gjermani P. – Shqipëri 2-0

14.11.1971 Shqipëri – Turqi 3-0

21.06.1972 Finlandë – Shqipëri 1-0

29.10.1972 Rumani – Shqipëri 2-0

06.05.1973 Shqipëria – Rumani 1-4

03.11.1973 Shqipëri – Gjermani L. 1-4

08.11.1973 Shqipëri – Kinë 1-1

 

 

Partizani, Kampion i Ballkanit

Fitimi i titullit Kampion Ballkani me Partizanin është kujtimi më i bukur i jetës së tij sportive. “Sapo kishim fituar Kupën e Shqipërisë, kur na njoftojnë se do të merrnim pjesë në Kupën Ballkanike. Mbaj mend që në grup kishim ekipin jugosllav, Slloboda dhe rumunët e Universitatea të Krajovës. Në atë kohë udhëtonim me autobuz, ndaj nga Tirana ne Tuzla zgjati tre ditë. Gjatë rrugës na u prish autobuzi, kështu që vijuam me autobuzat e linjës. Për të parë ndeshjen kishin ardhur shumë kosovarë. Kalojme në avantazh me anë të të madhit Pano. Ishte nje super gjuajtje nga mbi 30 metra. Slloboda barazoi në pjesën e dytë. Pëfundoi 1-1. Më pas, luajtëm në “Qemal Stafa” me ekipin e njohur rumun, Universitatea. Kemi fituar 1-0 me gol të Agim Jankut, me një gjuajtje direkt nga goditja e këndit. Një eurogol! “Këmbëshpejti” Janku shënoi edhe në ndeshjen e kthimit në Rumani. Partizani fitoi edhe këtë ndeshje 1-0. Ishim në krye të grupit me pesë pikë (në atë kohë, fitorja llogaritej 2 pikë). Ndeshjen e fundit që zhvilluam në Tiranë me Sllobodën. Shënoi filllimishtn Pano, por na barazuan me penallti që e shkaktova unë. Në pjesën e dytë, jugosllavët shënuan sërish dhe na mundën, por kjo nuk na pengoi të ishim në finale.

Përballë kishim një nga ekipet më të mirë bullgarë të kohës, Beroe e Stara Zagorës. Ndeshja e parë u luajt atje. Trajneri  Boriçi na udhëzoi të luanim me një mbrojtje të ngjeshur dhe të aplikonim kundërsulmin e shpjete. Ishte një ndeshje e madhe. Në stadium kanë qenë mbi 30 mijë tifozë vendas. Në pjesën e parë, Sabah Bizi bëri stadiumin të heshtë kur realizon një gol nga repertori I tij. Në pjesën e dytë, bullgarët arritën të na barazojnë. U mbyll 1-1. Ndeshja e kthimit në Tiranë nuk u zhvillua, pasi bullgarët nuk u paraqitën. Në këtë mënyrë, Partizani, në përbërje të të cilit luanin Pano, Bizi, Janku, Shllaku, Cani, Balluku, Berisha, Ziu, Çako, Shandro etj, u shpall Kampion Ballkani”.

Tre skënderbegas, “gardianë” të kuq

“Po të isha unë në portë, nuk do të ishte Perlat Musta”, thotë me të qeshur Bashkim Muhedini. “Kur më hoqën mua, morën Perlatin nga ekipi i të rinjve. Në një ndeshje miqësore me kinezët, ai u aktivizua në 45 minutat e dyta, duke treguar aftësi. Fitoi bluzën me numrin 1. Perlati ishte një portier shumë i mirë. Une isha shumë i kënaqur që më zëvendësoi një skënderbegas…  Mikel Janku, une dhe Musta kemi dale nga ajo shkollë. Po të ishte kjo shkollë, tradita do të vazhdonte dhe Partizani do të kishte portierë cilesorë. Një nga elementët bazë të sportit është disiplina e fortë dhe këtë disiplinë e fitoje në atë shkollë më mirë se kudo. Perlati, për kohën ishte portieri më i mirë dhe cilësitë e tij I shfaqi si me Partizanin, ashtu edhe me ekipin Kombëtar. Edhe aktualisht është duke bëtë përpjekje për të rikthyer Partizanin. Më vjen mirë për këtë, ashtu sikurse ka jo pak raste që ndjek me ëndje Mikelin në rolin e opinionistit në televizion”.

 

“Shpalleni “Monument Kulture”!

“Nuk i kam shkëputur lidhjet me Partizanin. Kur shkoj në Tiranë, takoj miq të dikurshëm e drejtues aktualë. Shkatërrimi i të kuqve filloi që në kohën kur drejtimin e morën italianët. Të gjithë vetëm kanë synuar ta kafshojnë e ta braktisin. Pastaj, më duket se gjërat kanë marrë karakter politik. Partizani dhe Dinamo po shkatërrohen vetëm e vetëm se janë krijur vite më parë nga ministritë e mbrojtjes dhe të brendshme. Oficerët dhe policët në atë kohe kanë paguar për të mbajtur ekipet. Por edhe sot ka oficerë e policë. Edhe ata e pëlqejnë futbollin, edhe ata mund ta mbajnë një ekip. Nuk prish pune emri. Përkundrazi, këto ekipe shteti shqiptar duhet t’i shpallë “Monument Kulture”! Gjithsesi, më vjen mirë që Partizani u ngjit në kategorine e parë. Uroj që të kthehet sa më shpejt në gjirin e skuadrave më të mira, sepse është elita e futbollit shqiptar”. 

“Duhet të kalojë shumë kohë për të patur një futbollist si Joti. Më ka ndihmuar shumë. Kur më thirrën në Kombëtare për herë të parë dhe u grumbulluam në malin e Dajtit, Panajoti më mori në dhomën e tij”

 

“Kur luaja unë, Pano, Bizi, Janku, Lin Shllaku etj, jo vetëm që ishim të apasionuar mbas futbollit, por kishim një shpirt të lartë gare e sacrifice. Sot është e vështirë të gjesh një ekip të tillë në Shqipëri”

 

“Te Partizani më kanë drejtuar Refik Resmja, Rexhep Spahiu, Loro Boriçi, Kolec Kraja etj. Ndër ta, më shumë kohë kam kaluar me të madhin Loro Boriçi, që më mori dhe në ekipin kombëtar”

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich