Ishte fundi i viteve‘40 kur një vajzë, e cila ende nuk i kishte mbushur të 15-tat, arriti që tok me pjesën tjetër të Tiranës të korrë suksesin e parë në garat e atletikës dhe të shpallet rekordmene në 4x100 m. Kjo ishte Sofika Stathi, e cila u shpall kampione së bashku me R.Demi, Sh.Sulo dhe F.Greva, duke i dhënë Tiranës trofeun e parë në këtë garë. Sofika Stathi u lind në Tiranë, më 14 gusht 1935, në një familje patriotike dhe artdashëse. Marigo Pozio, e cila qëndisi flamurin kombëtar që Ismail Qemali ngriti në ditën e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, ishte njeri i afërm i saj. Dhe për këtë, familja Stathi, në çdo 28 Nëntor, në ballkonin e shtëpisë vendos flamurin kombëtar në kujtim të patriotëve në përgjithësi, por edhe atyre që i kanë rrënjët në këtë familje si vetë Marigo Pozio, Kristo Floqi apo Niqi Grameno (e shoqja e patriotit, luftëtarit e publicistit të shquar Mihal Grameno). Një tjetër i afërm i familjes së Sofikës ishte i nderuari Kristo Floqi, i cili ishte ndër 4 themeluesit e Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston (SHBA). Po në sensin si artdashëse ku u shqua familja e Sofikës? Këtë e vërteton shkrimi në njërin nga numrat e gazetës “Zëri i Korçës”, i 23 prill 1927, ku tekstualisht shkruhet: “Pardje në mbrëmje urdhëroi në qytetin tonë profesori i dansit, zoti Dhimosten Stathi. Nga sa marrim vesh, zotërija e tij vajti në Vjenë për të dhënë provimet e fundit në dansing. Zoti Dh.Stathi në qytetin e famshëm dha provimet duke dalë faqebardhë (të shoqëruar nga një Diplomë Nderi). E urojmë nga thelbi i zemrës zotin profesor për suksesin që pati, duke nderuar veten dhe Shqipërinë”. Portretin e Dh.Stathit, të vajzës së tij dhe të patriotes M. Pozio e përshkruan mjaft bukur studiuesi i mirëfilltë Stilian Adhami, i cili në shkrimin e tij “Marigoja, qëndistarja e flamurit të Pavarësisë”, botuar në gazetën “Ballkan” më 29 qershor 2006, përmend edhe “Takimin me farefisin e Marigosë”: “Në vitin 2004 më vjen për një vizitë kortezie në shtëpi arsimtarja pensioniste Sofika Stathi. Kjo zonjë e shkathët dhe serioze është e bija e mësuesit të vjetër korçar të dansit, Dhimosten Stathi, që ka studiuar në Rumani në vitet ’20 për të cilin pata shkruar në vëllimin “Vështrim mbi kulturën popullore të trevës së Përmetit”. Pati ardhur në këtë qytet dhe kishte organizuar një kurs vallëzimi modern për rininë përmetare të asaj kohe. Kështu që arsimtarja plot sqimë e kulturë, përveç falënderimeve të saj bujare nga bashkëbisedimi i ngrohtë që bëmë, doli se ishte farefis me Marigonë dhe më tregoi lidhjet midis dy familjeve...”. Po nga kjo familje ishte edhe një tjetër artist i famshëm shqiptar, artisti i fushës së kinematografisë e këngëtari i shquar Kristaq Antoniu, kushëri i parë me Dhimostenin e njëherësh bashkëshorti i së parës piktore shqiptare, Andromaqi Zengo.
Rikthehemi tani te protagonistja e këtij shkrimi, Sofika Stathi. Në përfundim të shkollës 7-vjeçare ajo vazhdoi Teknikumin e Fizkulturës “Vojo Kushi”, prej ku mbarë publiku vendas e ndoqi me admirim, teksa garonte në sportin e atletikës në 100 m, 400 m. dhe 800 m, teksa vazhdimisht dilte rekordmene. Më 14 qershor 1951, “Sporti Popullor” shkruante “Atletja me perspektivë Sofika Stathi e Punës së Tiranës zuri vendet e para në 100 m me kohën 14 minuta; në 400 m me kohën 1’09’08 dhe në 80 metra me pengesa 15’01”. Po nga gazeta “Sporti popullor” jepet edhe njoftimi tepër i rëndësishëm për kohën: “Kuvendi Popullor dekoron kuadro e sportistë të dalluar”. Ndër sportistët e dalluar të kësaj periudhe shquhet edhe atletja Sofika Stathi, me motivacionin: “Për meritat e tyre si sportistë të dalluar në Republikën Popullore të Shqipërisë, për kontributin e tyre të dhënë në ngritjen e kushteve sportive në vendin tonë, kanë qenë të palodhur në zhvillimin e fiskulturës. Duke qenë vetë shembull në këtë drejtim, kanë qenë fiskulturistë të palodhur prej çlirimit e deri sot”. Figura si Sofika Stathi sporti do t’i ketë në piedestalin e vet e gjithnjë do t’i përmendë me respekt e dashuri për atë kontribut që dha në fushën e sportit. Dedin SULI