Në qytetet e vogla ku sporti konsiderohet Zot, ndodh shpesh që më të dalluarit të konsiderohen yje e me kalimin e kohës të kthehen në legjenda. I pranueshëm ky “tejkalim” ngaqë në qytete të tillë, këta sportistë janë në një farë mënyre emblema e krenaria e komunitetit. Por në rastin e Vladimir Skuros, pavarësisht se është “pjellë” e Kuçovës së vogël, të gjitha epitetet qëndrojnë realisht. “Provinciali” shpërtheu që njomcak me talentin e tij dhe bindi jo vetëm skuadra të mëdha si Partizani, por dhe trajnerët e zinxhirit të ekipeve kombëtare.
“Që 16 vjeç kam spikatur si një futbollist me të ardhme, duke debutuar me skuadrën e të rriturve të Naftëtarit. Një fillim i vrullshëm: nga askushi në futboll, u bëra gjithkushi. Skuadra kuçovare ishte preludi I atyre arritjeve që do të vinin më pas te Partizani, Tomori dhe deri skuadrat tona përfaqësuese. Në “pasaportëe” duhet të shkruaj se jam një zbulim i trajnerit të njohur Bejkush Birçe, i cili në sezonin 1973-1974, duke më parë në një ndeshje kontrolli, ka pyetur për mua ish - teknikun e njohur të skuadrës së të rinjve, Agim Mukavelati, pasi ka pëlqyer të dhënat e mia. Duke thyer edhe ndonjë skeptik që fliste se isha i vogël dhe vetëm 16 vjec, tekniku Birçe menjëherë më ka përzgjedhur në skuadrën e parë për takimin e parë të kampionatit në Kavajë ndaj Besës”, kujton Skuro.
Dhe ka qenë vërtet një start mbresëlënës. Luhej në fushën e vjetër të Kavajës. Kur kish kaluar një çerek ore lojë nga pjesa e dytë, Birçe e nxjerr në nxemje. “Dëgjova tifozë tanët që I folën trajnerit nga shkallët se s’mund t’i besohej një çunaku! Por s’u impresionova. Mbaj mend që dhashë dy asist për Agim Priftin e njohur, që shënoi dy gola. Fituam 2-0”.
Tani s’e mban kush! Edhe pse Birçe largohet, ai që vjen, Fatbardh Deliallisi e fut menjëherë në fushë: “Në javën e dytë, ndaj Lokomotivës (Teuta e sotme) në Kuçovë kam shënuar golin e fitores dhe kam fluturuar nga gëzimi. Në të tretën regjistrohet fitorja historike 3-1 ndaj 17 Nëntorit (Tirana e sotme), ku goli i tretë ka qenë imi. Pas kësaj ndeshjeje, Deliallisi më ka vënë nofkën "Mëzi", për zhdërvjelltësinë në fushë”. Ka dhe një detaj me trajnerin: “Në Shkodër, përballë Vllaznisë kam shënuar qysh në minutat e para të takimit. Deliallisi më “qortoi”: “Po përse mor djalë shënove kaq shpejt; ke sulmuar folenë e grenxave, dhe hajde t’i përballojmë ne këta”. Në të vërtetë takimi ka përfunduar me fitoren e Naftëtarit, dhe Skuro është bërë gati në një hero atë ditë gjatë kthimit në Kuçovë.
Sulmuesi kujton me krenari se I ka shënuar edhe Jani Kaçit, edhe Ilir Luarasit, edhe Perlat Mustës! “Mos harrojmë se bëhet fjalë për aktivizimin dhe shpërthimin tim te Naftëtari i viteve ‘70-‘80 të që është cilësuar nga specialistët e kohës si një skuadër simpatike. Mund t’ju duket e tepruar, por unë guxoj ta krahasoj futbollin që bënim ne si një tendencë për të kopjuar Holandën e famshme të atyre viteve. Të paktën në aspektin sulmues kemi qenë, sa të befasishëm, aq dhe të papërballueshëm”, rrëfen Vladimiri.
Trajnerët? “I përmenda të gjithë, por mos harroni Guxim Muklin. Me të e kam mbyllur në Berat”, thotë 54-vjeçari..
Për Partizanin
“Kam luajtur tre sezone me Partizanin në fillimvitet ’80. Ishte një skuadër potente, përveç famës e popullaritetit. Për të shkuar atje nuk mjaftonte vetëmn ecuria ime, por dhe fakti që skuadrën e drejtonte zbuluesi im,k Bejkush Birçe. Kemi arritur në finalen e kupës dhe jam shpallur nënkampion. Kanë qenë vite që nuk shlyhen nga kujtesa”.
Lamtumira e detyruar
Kanë qenë dy sezonet e mi të fundit në futbollin në nivele të larta të kohës. Në një ndeshje me Partizanin (1-1) në një përplasje me ish futbollistin dhe mikun tim Genci Tomori, kam thyer këmbën. Moment fatkeq, që mbylli në mënyrë të njëanshme karrierën time. Them kështu pasi disa zyrtarëve mediokër, më konsideruan si të mbaruar si futbollist. Po rikuperohesha nga dëmtimi i rëndë, ndërsa ata më prenë rrogën! Nuk më konsideronin si një idhull, por si një limon të shtrydhur. Unë I akuzoj edhe sot si shëmbëlltyra e së keqes së Naftëtarit në atë periudhë”.
Rilindje
“Pas rikuperimit, në Berat, qytetin tim të vendlindjes dhe që konsiderohej historikisht si qyteti "armik" i kuçovarëve, jo vetëm që më pritën në mënyrë të shkëlqyer, por dhe ua shpërbleva. U aktivizova për dy sezone radhazi, plus që në sezonin 1986-1987 në një takim mjaft të rëndësishëm dhe me vlera në qëndrimin në Kategorinë e Parë, unë kam shënuar golin e fitores për Tomorin ndaj Naftëtarit. Kuçovarët, pas kësaj humbjeje shkuan në takimin e shumëpërfolur shtesë me Dinamon, që çoi edhe në shpërbërjen e Naftëtarit të madh dhe shumë simpatik të asaj periudhe që edhe sot e kësaj dite ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar”
Kuqezi
“Qysh nga viti 1976, në moshën 18-vjeçare, jam thirur në ekipin kombëtar Shpresa, diçka e pazakontë për atë periudhë, dhe deri në vitin 1985 kur kam kryer grumbullimin e fundit me ekipin tonë përfaqësues, kam qenë sistematikisht në grupin e Kombëtares, falë dhe vler3ësimnit nga ana e të madhit Loro Boriçi. Por, kjo vlente vetëm brenda kufinjvë te Shiqpoëirsë, pasi për ndeshjet jashtë vendit, Siç ishte pjesëmarrja e Shpresës sonë në Kampionatin Ballkanik në Volos të Greqisë, për shkak të biografisë nuk më morën. Edhe kur u thye kjo tabu më survejonin a thua se isha një agjent ndërkomëbtar!”
Për t’u mbajtur mend
Debutimi që 16 vjeç në Kavajë me skuadrën e të rriturve
fitoret radhazi në dy sezone në Korçë me golat e mi
grumbullimi me përfaqësuesen
aktivizimi me Partizanin
më shumë se sa 100 gola të shënuar
Goli i fundit
Ka qënë në sezonin 1987-1988 në Tiranë, në një barazim mbreslënës të Tomorit ndaj Partizanit në stadiumin "Qemal Stafa". Ishte dhe një gol shprese për qëndrimin në kategori të parë të asaj kohe, por që u zhvlerësua pas një humbjeje, në fakt të pamerituar ndaj Luftëtarit në Gjirokastër.
Peng
Asnjë nga dy djemtë e mi nuk u bënë futbollistë në nivelin tim edhe pse njëri prej tyre ishte vërtet i talentuar dhe luajti në nivele të larta në Greqi
Kënaqësi
Ngjitja e skuadrës në Kategorinë e Parë, për futbollin kuçovar përbën natyrisht sukses të madh, sepse ne kemi tashmë një synim të përbashkët, që ta rikthejmë në nivelin e viteve ‘70-‘80