Finale dhe për “Fanatics”, ata në fushë janë më të rëndësishëm sesa yjet e Europianit
 Gjergji Stefa  4/7/2012

Duhet një sforco jo fort e vogël që të harrosh në harkun e disa ditëve, netët e mbushura me emocione dhe spektakël të futbollit të madh të “Euro 2012” - shqiptarët ende vijojnë t’i përjetojnë skuadrat europiane qofshin këto klube apo përfaqësuese me një pasion që konkurron dhe vetë qytetarët e këtyre vendeve - dhe të ndryshosh kësisoj vendin e “krimit”. Nga baret e pafundëm të ish-Bllokut, tifozi i Tiranës këtë radhë ka një detyrim moral që të heqë dorë nga kondicioneri, birra e zakonshme apo koktejli, komoditeti i një pabi apo poltrone, dhe tanimë duhet të shfaqet atje ku e thërret detyra. Me të njëjtën logjikë dhe dëshirë, të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe tifozi i Teutës e Flamurtarit, në të njëjtën mbrëmje ku temperaturat nuk premtojnë freski.
Grevenmakeri, një emër shumë i vështirë për t’u shqiptuar, aq sa jo vetëm tifozët, por dhe stafi e gazetarët bardheblu e konsiderojnë thjesht “luksemburgasit” nuk janë skuadra më e rëndësishme që ka mbërritur ndonjëherë në Tiranë. Në morinë dhjetëravjecare të emrave të mëdhenj në rang klubesh janë ndoshta më modestët, por nuk duhet të pengojë këdo “Fanatics” dhe jo vetëm që nën ritmin e thirrjeve të tyre të zakonshme me “shallin veshur” t’i drejtohen “Qemal Stafës” që nuk “jep shpirt” kurrë e të thërrasin gjatë gjithë kohës. Tirana sezonin e shkuar ka pasur dy-tri ndeshje të rëndësishme ku tifozëria ka qënë më shumë se pritshmëria. Takimet kundër Skënderbeut kanë prodhuar rreth 6-7 mijë tifozë, një shifër e kënaqshme për një qytet që futbollin në vend e snobon kushedi pse dhe për një stadium që mezi mbahet në këmbë. Tifozët e Tiranës, ata të cilët kanë brohoritur e kanë thërritur, kanë shkuar në Korçë e janë përleshur me flakadanë, kanë ndërtuar dekore e këngë, kanë momentin për të treguar se kjo është finalja e tyre. Nëse qëllimi i gjithë dueleve të vitit është përfaqësimi dinjitoz në Europë, atëherë mbështetja e tyre është një kusht si lojtari i 12-të.
Psikoza e përgjithshme, se ata i kalon “dhe një skuadër lagjesh” është jo vetëm e gabuar, por dhe e dëmshme. Nëse tifozi i thjeshtë bardheblu do të ketë lloj ndjesie dhe do të preferojë ta shohë ndeshjen përpara një lap-topi duke parë komentet në “facebook”, “penalizohet” duke mos “qenë në fushën e lojës”.
Historia e një futbolli të vogël si ai shqiptar ka treguar rëndom se pikërisht atëherë kur skuadrave tona, të të gjitha nivele, i është dashur fitorja si kusht, qoftë dhe pritshmërie, kjo edhe kur ka ndodhur, nuk ka qenë asnjëherë e thjeshtë, aq sa të paktën është menduar më parë.
Përshtypja e përgjithshme se Luksemburgu nuk ka futboll (sot, të paktën të luajnë dinë të gjithë) se koeficienti i basteve 1.17 është qartësisht se çfarë diferencash kanë skuadrat dhe se Tirana ka një të shkuar në Europë, janë të gjithë afër së logjikshmes, por jo detyrës. Të enjten, ashtu sikundër gjithë ndeshjet e rëndësishme tësezonit, tifozët duhen të jenë aty. Ankesat për një impiant, pa ujë, banjo, era myk dhe pa mbulesë është një justifikim i cili shndërrohet në një alibi kur mendon se netë të tilla për hir të pasionit, janë vetëm 2-3 gjatë gjithë verës. Tirana ka treguar në mënyrë sistematike, dhe kjo gjë ndodh prej dekadash, që ka një lidhje shpirtërore me tribunat e saj. Shpesh rezultate të pabesueshme, përmbysje, apo qoftë dhe goleada i janë faturuar talentit të fushës dhe presionit të njerëzve nëpër shkallë. Gjithnjë të pakënaqur e gjithnjë kërkues ata janë motivimi më i mirë për lojtarët që zbresin në fushë. Spanja, Italia, Gjermania, ishin shumë të bukura për t’u parë, por llogaria e një tifozi të thjeshtë bardheblu është më e thjeshtë për t’u bërë: 300 lekë të reja nuk janë asgjë përpara qindra-mijërave të harxhuara në Europianin e nxehtë. Mos u mundoni t’i mësoni emrin kundërshtarit, thërrisni për skuadrën tuaj e më pas gjykojeni apo fërshëllejini sa të doni nëse bëjnë një superdështim. Por jini aty! Jeni pranë Çotës e Balës, ashtu sikundër ishit gjithë muajin qershor shumë, por shumë pranë Ksavit, Iniestës, Ozilit, Ronaldos e kushedi kujt tjetër.

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich