Sot do të fillojnë eliminatoret e Brazilit dhe si gjithmonë jemi edhe ne në garë. Gjithmonë entuziastë, pasi kështu kemi lindur dhe na duhet të mundim dikë, për t’u mbajtur mend gjatë të gjithë sezonit. Dhe kemi një fat të madh, pasi presim Qipron, një skuadër e vogël, e një vendi që nuk ka shumë qejf dhe që veç flamurit të tyre mbajnë edhe atë të Greqisë. Janë këta robtë që nuk e njohin Kosovën, një tjetër shtet në Ballkan, që veç atij flamurit të sajuar mbajnë edhe tonin. Tani, çfarë duhet të bëjmë me këta që do të na vijnë, përveç faktit që duhet t’i mundim miqësisht? Nuk kemi humbur asnjë ndeshje të parë prej një dekade, por nuk është kjo arsyeja për të qenë optimist. Ne duhet të fitojmë me Qipron se mendojnë që i kemi poshtë vetes dhe që kur të mbarojë edicioni të jemi në vendin e parafundit, që edhe De Biazi ta justifikojë praninë e tij. Pastaj, duhet të fitojmë se jemi edhe patriotë. Ata nuk na njohin, ndërsa ne na pëlqen gjysma tjetër e ishullit, ata që heqin këpucët kur vendosin të hyjnë në shtëpi. Ore, këta tanët do të fitojnë, ashtu siç bëjnë gjithmonë, ndërsa ne të shkallëve do ta ndjekim “live” shfaqjen e tyre pasi të kemi pirë ca birra dhe të qerasim ndonjë tjetër që kemi afër, sepse ndeshja korrespondon edhe me ditë rrogash. Shumë mirë, të gjithë e morëm vesh që do të fitojmë, por çfarë Kombëtare kemi? Gjatë të gjithë periudhës që drejtohet nga De Biazi janë zhvilluar ndeshje miqësore, me qëllimin për të parë një skuadër e cila do të jetë deri në fund pothuajse e njëjta, ndërsa tani na ofrohet një tjetër, e përbërë nga të panjohur, të cilët i kemi njohur vetëm në “YouTube”. Trajneri ynë është një teknik i paparë për nga driblimi, ashtu siç ndoshta nuk ka qenë kur ishte shumë më i ri, ndërsa ne jemi të dënuar ta besojmë, pasi burri i botës ka ardhur nga Italia. Meha, Kukeli do të jenë në formacion, ndërsa një pjesë e atyre që u provuan gjatë të gjithë “verës” do të lihen pushim në “dimër”. Tani mjafton të jesh nga Kosova, për t’i hequr hallet edhe Shqipërisë.
Ndërsa, pasi të kemi mbaruar punë me Qipron do të kemi përballë Zvicrën, që është një Kosovë kundër. Po më këta, si do t’ia bëjmë? Do të fitojmë prapë, se kemi flamurin, 100-Vjetorin, se kemi inatin që na kanë tradhëtuar dhe në fund fare duhet t’i trajtojmë si qipriotë. Të gjithë e mbajnë mend se si u sollën me Lorik Canën, vetëm se tha që shqiptarët e Zvicrës do të konsiderohen si të huaj. Në fakt nuk e tha tamam kështu, por sidoqoftë bëri përshtypje. Nejse, këto janë detaje që nuk na interesojnë, mjafton të fitojmë pikët, si në çdo fillim edicioni dhe të shkojmë më në fund në Brazil, që të shohin ndonjë ndeshje dhe të bëjmë plazh dhe të mbajmë në shtëpi foton e De Biazit, që për këngën “Xhamadani vija-vija” duket se është i gatshëm të japë edhe jetën.