Një prononcim i sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Eduard Prodani, dy ditë më parë – “do të të jetë i njëjti Partizan, me atë që mbylli sezonin e shkuar, që do të vijojë të luajë edhe në kategori të Parë”, ka thënë pak a shumë ai – qetëson jo pak shpirtrat e trazuar të fansave të skuadrës së kuqe. Megjithatë, është thjesht një “stand by”, pasi askush nuk mund të thotë se ç’pozicion do të mbajë Ministria e Mbrojtjes, nëse edhe shkalla e dytë e gjykimit do t’I japë të drejtë Xhanit.
Në atë rrokopujë të vjetshme, kur ishte realisht në pikëpyetje përfaqësimi i skuadrës edhe në Kategori të Dytë, askush nuk “lexoi” përtej një vendimi të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, që i hapi rrugë Partizanit të luante në emër të Ministrisë së Mbrojtjes. Do të kish mbetur po kështu në hije, nëse nuk do të ishte vetë dikasteri që do ta “gërvishte” përmes hedhgjes në gjyq të shoqërisë aksionere të përfaqësuar në shumicë nga Xhani, që kishte në “pronësi” emrin e stemën e klubit.
Duke logjikuar me pak “ligësi”, si dhe duke patur parasysh se Partizani luajti me të njëjtin emër e me të njëjtën stemë si të zakonshmet, i bie që të ketë pasur një ujdi mes Ministrisë e Xhanit, qoftë edhe pa kontaktuar me njëri tjetrin. Xhani, duke mos patur mundësi financiare, ka pranuar me dëshirë e nuk është ndierë që skuadra që ka dalë në fushë ka qenë në një farë mënyrfe e tija. Edhe dikasteri nuk është ndierë: e para se kështu e shpëtonte skuadrën nga humbja “pa nam e nishan”; e dyta, se për të kishte nisur një lloj interesimi në rritje dhe e treta, mbajtja e një skuadre në këtë kategori inferiore nuk është se do të kishte ndonjë kosto të madhe.
Duke vijuar po me këtë “ligësi” logjike, edhe nëse gjyqi i këtij fundmuaji nuk i jep të drejtë Ministrisë, nuk është se dpo të ndryshojë ndonjë gjë. Xhani është po ai, pra pa mundësi financiare dhe mund ta ripërtërijë “kontratën”: mbajeni skuadrën me emrin “tim”, paguajeni e merrni pjesë në aktivitet.
Nëse sa më sipër qëndron si logjikë, pavarësisht “dashakeqësisë”, idetë për një stemë të re, apo emër të ri – shto këtu dhe regjistrimin në QK – janë sa të padobishme, aq dhe qorrsokakëse!
Krejt ndryshe nëse gjyqi fitohet nga dikasteri. Në këtë rast do të ketë shumë më tepër impenjim, skuadra do të ketë e çliruar nga çdo lloj barre e gjithklush që është i prirur të kontribuojë do të ketë hapësirë për ta bërë këtë.
Megjithatë, arsyetimet e lodhshme mënjanë: Partizani është një! Me hir, apo me pahir, ai duhet të shpëtojë, mbijetojë e, pse jo, të kthehet në kohët e arta të tij. Tifozeria është ende “në këmbë”, mbështetja po ashtu!
Thaka, ai që duhet të dijë
gjithçka, por që s’di asgjë
Administratori i Partizanit, Gjergji Thaka është shprehur se, “gjithçka di rreth Partizanit të ri është ajo çka kam lexuar në shtypin e shkruar. Askush nuk më ka lajmëruar, apo telefonuar për të më komunikuar zyrtarisht ndonjë detyrë të re”.
Thaka tregoi që në mesjavë, ditën e enjte, do të nisë stërvitjen skuadra, e cila përfundoi sezonin e kaluar. Ai nuk mund të tregojë asgjë më shumë për të ardhmen, pasi nuk e ka vënë askush në dijeni. “Unë nuk kam asnjë rol në vendimarrje. E vetmja gjë që mund të them është që ditën e enjte të javës së ardhshme do të fillojë stërvitjen skuadra. Ajo që shpresojmë të luajë në Kategorinë e Parë”.
Lojtarët me pushime, por me telefona hapur
Ndërkaq, futbollistët e Partizanit, në pritje për të nisur stërvitjen, javën e ardhshme, vazhdojnë të pushojnë pranë bregdetit dhe në vende të tjera, larg zhurmës. “Nuk na kanë lajmëruar për asnjë ndryshim dhe të gjitha ato që kemi dëgjuar dhe lexuar janë pa bazë, por thjesht hipoteza. Ne duam gjëra konkrete”, shprehet sulmuesi Lleshi, që është edhe një nga veteranët e skuadrës së kuqe.
A.C