Lojërat Olimpike “Londër 2012”, praktikisht kanë përfunduar për Shqipërinë. Kështu, edhe pse janë për të konkurruar ende Endri Karina në peshëngritje dhe Arben Kuçana në qitje, nuk është se ka ndonjë pritshmëri rezultatesh. Të “paraprira” nga përjashtimi i Pulakut për përdorim substancash të ndaluara, rënia e Kelmendit në xhudo dhe e Begajt në shtangë ishin dhe “kapaku” i shëmtipërfaqësimit të Shqipërisë në këtë ngjarje madhore të sportit botëror.
Për të mos u hallakatur në të stërpërsëriturat “mungesë e strategjisë për sportin”, “jemi të varfër e kaq është takati ynë”, apo të tjera si këto, rrethi ngushtohet në trekëndëshin KOKSH - Federata shumësportëshe - MTKRS. Në tërësi nuk ke ç’pret më shumë kur ky trekëndësh i ka brinjët e thyera: mjaft të thuash se Komiteti Olimpik është, prej një viti e sa, pa president (dhe kjo për arsye të mbrapshtësisë funksionale), se federatat “ziejnë” nga lufta e brendshme e shkopinjtë nën rrota dhe se Ministria e linjës, përkundër deklarimeve e pritjeve pompoze veçse i ka rudhur sistematikisht paratë e vëmendjen për sportin (“vetë emërtimi i dikasterit që na mbulon”, do të thoshte një sportist i vjetër, “e ka aq larg, sa të merret fryma deri sa të shkosh te sporti në fund të MTKRS-së!”).
Dhe s’ka sy për të bërë ndonjë gjë të hajrit. Vini re ç’po ndodh këto ditë! Ka plasur një luftë mediatike Londër – Tiranë mes Komitetit Olimpik – shefi i misionit, Bezhani është vënë në llogoren e parë – dhe Federatës së Peshëngritjes – presidenti Ademi, ndoshta dhe për “pabarazi niveli”, ka nxjerrë sekretarin Kraja – ku nuk përtohet të shkohet deri në “dijeni për përdorim dopingu” (a thua se përbën ndonjë sekret shtetëror!) e deri te kërkesa për dorëheqje të anasjelltë! Ç’është bërë e ç’duhet bërë me sportin, as që ka vlerë. Vlerë ka vetëm të dalësh pa faj në tërë mesele erëkeqe ku jemi zhytur të gjithë, përfshi dhe median që ka pjesën e vet, ngaqë “ka pompuar në të thatë”.
Në këtë mes Ministria ka heshtur. Nuk është se ka anësi, apo preferencë rreshtimi, por është thjesht “shkak teknik”: dikasteri ka nisur pushimet dhe as do t’ia dijë të bëjë qoftë edhe një deklaratë për të justifikuar palaçollëkun e dopingut dhe mjerimin e rezultateve!
Është gati taksative: Që të nxjerrësh një sportist kampion e rekordmen, duhet të kesh një trajner kampion, të kesh një ministër kampion, të kesh një kryeministër kampion e të kesh edhe një president vendi kampion. Këta të fundit në kuptimin e mentalitetit, natyrisht. Por, duke u nisur mbrapsht, ne kemi patur një president (për të riun është shumë herët për të folur) që politikisht është detyruar të mbrohet dhe jo të sulmojë; kemi një Kryeministër që më së shumti interesohet për rekordet personale dhe një ministër që krejt rastësisht ka gjetur sportin në skrivaninë e vet. Për ta mbyllur me trajnerët, të cilët – respekti mënjanë për eksperiencën dhe atë që mund të kenë dhënë – nuk kanë “dërhemët” për të dhënë “okën” e rezultateve.
Të gjitha këto, por dhe shumë të tjera si këto, do të na lënë edhe për shumë kohë të kapur pas “lugëzbrazurës”, “e rëndësishme është të marrësh pjesë”.
Fatmir Mëneri
“Bolshevizëm blu”
“Bolshevizëm blu”. Kështu mund të quhet i gjithë aksioni i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Ndjeshmëria e titullarëve të kësaj ministrie ka nisur më 25 tetor të vitit të kaluar, kohë në të cilën, në një interpelancë në komisionin e medias dhe të mjeteve të informimit publik, deputeti i së majtës, Fidel Ylli “gozhdoi” ministrin Bumçi për gjithçka kishte të bënte me përgatitjen e Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Deri më atëherë askush nuk e “dinte” se në korrikun e ardhshëm ishte Olimpiada.
“Aksioni” filloi me takimet me peshëngritësit, para dhe pas ardhjes nga Botërori i Parisit, në të cilën Shqipëria i arriti katër norma kualifikimi. Para dhe pas Europianit të Antalias, atje ku u sigurua dhe një i pestë me normë, që i takoi Romela Begajt. Por ndërkohë, dopingu “është ulur këmbëkryq”, teksa u hesht për “zëvendësimin” e Gegës me Shalën, ndoshta edhe sepse kjo e fundit ishte drejtoresha e Agjensisë së Shërbimit të Sporteve, pjesë e MTKRS-së.
Dikasteri e përgatiti olimpiadën “bolshevizëm blu”, duke u interesuar vetëm “të thyente rekordin e pjesëmarrjes”, krahasuar me një olimpiadë më parë. Por, arriti vetëm “barazim 11 me 11”, madje me dy “out”: të përjashtuarin Pulaku për doping dhe të vetëpërjashtuarën Shala. A duhet të ketë një “të përjashtuar” të tretë?!
Gjergj Vyshka
Kelmendi, një flamur me pahir për të dështuar
Majlinda nga Kosova nuk na kishte shumë për zemër, ndërsa ne iu përgjëruam, duke ia dhënë medaljen pa filluar lojrat
Që Olimpiada për Shqipërinë ishte një dështim, këtë nuk duhet ta përsërisim më, sepse të prish humorin, pasi ndihesh gjithnjë e më inferior në ballafaqimet sportive. Por për të qenë korrekt duhet të përmendim të gjitha detajet, që bukurinë e Londrës na e kthyen në makth. Fillimisht, atletët na bën firo rrugës, për shkak se na rezultuan pozitivë në kontrollet anti-doping. Edhe në këtë rast u treguam inferiorë, pasi ndonjë përdorim medikamentesh, aq të identifikueshme, saqë edhe nëse do të urinoje tek Ambulanca e Madhe, një infermiere e thjeshtë do të kthente përgjigjen: “Ik shpëlahu për ndonjë vit!”.
Dhe në fund na mbeti Majlinda Kelmendi, për të shpresuar ndonjë medalje. Xhudistja kosovare fillimisht u tregua shumë e bezdisshme, për arsyen e madhe se nuk dëshironte të garonte për Shqipërinë. Dhe pasi tentoi të përfaqësonte Kosovën, gjë që ishte e pamundur, më pas ishte e gatshme të garonte nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, nëse do ta lejonin. Pra, Shqipëria ishte opsioni i fundit. Po çfarë është kjo që ne e duam aq shumë, sa edhe Kosovën e saj? Dhe përgjigjia është e thjeshtë: Kelmendi do të jetë kampionia jonë Olimpike. Për një medalje ia vlen të tregohesh më i qetë, duke i disiplinuar nervat dhe të tolerosh kur fyhesh nga një zonjushë, që dëshiron të bëjë patrioten, por ende nuk i ka të kultivuara ndjenjat kombëtare.
Në datën 1 qershor është CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar), institucioni që vendosi se Majlinda do të ishte mirë të garonte për Shqipërinë. Ndërsa ne të tjerëve na përfundoi ankthi, pasi më në fund xhudistja që nuk na ka shumë për zemër do të kishte flamurin tonë dhe jo atë me “bojra dhe lule”, që nuk i përshtatet fare shqiptarëve. Ku është tani medalja Olimpike? Kelmendi ishte një dështim si gjithë të tjerët dhe ndoshta do të ishte shumë më mirë sikur të garonte e vetme, nën logon e Federatës së Xhudos, që ndoshta askush nga ne nuk ka mundësi ta identifikojë. Majlinda nuk donte të na përfaqësonte dhe e bëri deri në fund, ndërsa ne shqiptarëve na duhet të na vijë keq që iu përgjëruam aq shumë. Ndoshta me më pak përpjekje mund ta bindnim të vishej kuqezi atë xhudisten nga Mauricius, që e eleminoi (!?).
Ndërkohë që, sigurisht, nuk ishte Kelmendi e keqja jonë. Ditët e fundit të Olimpiadës për Shqiptarët, të cilët u larguan ende pa u ambientuar me motin e Londrës ishin… një shtangiste që kërkonte medalje, kur ishte nja 20 kilogram poshtë konkurrenteve që kishin të njëjtin qëllim, një notare që theu rekord kombëtar dhe u rendit e 40-ta, një atlete që nuk garoi fare dhe deklaratat e shefit të delegacionit, që akuzoi të gjithë dynjanë, ndërsa vetë na del i pafajshëm.
Saimir Demi
Luiza Gega, duhej të ishte!
Klodiana Shala, apo Luiza Gega? Kjo ka qenë pikëpyetja deri në vendimin përfundimtar të IAAF-it, që njihte normën e kualifikimit të Shalës në 200 metra, me kohën rekord 23”27, dhe jo atë të Luiza Gegës në 1500 metra me kohën 4’08”65, sepse ishte arritur në garën e ndërmjetme, pra djem e vajza bashkë, që ishte hequr që më 2011-ën. Praktikisht, edhe duke qenë më e mira e të gjitha aktiviteteve, me rekorde të reja kombëtare në 800 dhe 3000 metra me pengesa, Luiza Gega ishte e garantuar që do të ishte me ftesë në Londër. Madje, sikur Shala të mos kishte kapur normën, atëherë Gega, jo vetëm që do të ishte, por dhe do të kishte konkurruar në 1500 metra. Problemi është se teknikisht Gega, me të gjitha rezultatet e saj në 1500 metra (4’10” në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, 4’13” në Europianin e sallave të mbyllura, 4’11” në Kupën “Pietro Menea”, 4’09” në Kampionatin Kombëtar dhe 4’12” në Helsinki në Europian) thuajse e kishte të pamundur të kapte normën B, që ishte me 4’08”90. Me vetëm një 4’08”65, në një garë të ndërmjetme, Gega mund të ishte në Olimpiadë vetëm me ftesë. Shala përfitoi sepse e kapi atë kohë që të tjerë pas saj do ta kenë shumë të vështirë ta gjejnë, 23”27. Për më tepër, dëmtimi i saj reduktoi pjesëmarrjen tonë në olimpiadë, çka të bën të pendohesh që nuk u arrit Gega në vend të saj.
Rezultatet e olimpistëve tanë
Noel Borshi, 100 metra delfin, koha 1’05”49, vendi i 40-të mes 42 pjesëmarrësve
Arben Kuçana, qitje me pistoletë 10 metra ajër, 577 pikë, vendi i 20-të mes 44 pjesëmarrësve
Majlinda Kelmendi, xhudo pesha 52 kg, eleminohet në turin e dytë
Romela Begaj, peshëngritje pesha 58 kg, vendi i njëmbëdhjetë me 216 kg
Sidni Hoxha, 100 metra stil i lirë, kohë 51”11, vendi i 37-të mes 60 pjesëmarrësve
Briken Calja, peshëngritje pesha 69 kg, vendi i nëntë me 320 kg
Daniel Godelli, peshëngritje pesha 69 kg, i skualifikuar për shkak të djegies së tre provave në shkëputje
Hysen Pulaku, peshëngritje pesha 77 kg, i përjashtuar për shkak të daljes pozitiv me doping më 23 korrik me stanozolol
Adriatik Hoxha, hedhje gjyle, 17.58 metra vendi i nëntëmbëdhjetë
Klodiana Shala, 200 metra, u tërhoq për shkak dëmtimi
Endri Karina, garon sot
Adriatik Hoxha sërish pa rekord,
rritet me 58 cm nga Helsinki
Dje, Adriatik Hoxha, hedhësi i gjyles i Shqipërisë, përsëri nuk ka dhënë rekord kombëtar. Ndryshe nga pritshmëria e shefit të misionit Viron Bezhani, apo dhe premtimi i trajnerit Emin Kosturi, Hoxha nuk e ka kaluar kufirin e 18 metrave. Megjithëse, krahasuar me Kampionatin Europian të Helsinkit, rreth një muaj më parë, Hoxha ka rritje me 58 centimetra në rezultat. Në tre hedhje ai ka fiksuar 17.58 metra, me të cilën u rendit i nëntëmbëdhjeti në Baterinë A, faull në të dytën dhe 17.13 metra në tentativën e fundit. Dhe e gjithë gara e tij, ashtu sikurse olimpistëve të tjerë përmblidhet në një fjalë, dështim.
Rezultatet e vitit 2012 të Adriatik Hoxhës
Kampionati dimëror 17.57 m
Ballkaniada e sallave të mbyllura 17.58 m
Kupa e Shqipërisë 17.86 m
Mitingu i Tivarit 18.14 m (RK)
Kampionati Kombëtar 18.18 m (RK)
Europiani i Helsinkit 17.00 m
Lojërat Olimpike “Londër 2012” 17.58 m
Fshati olimpik, komshinj me Portugalinë, në një lagje me amerikano-jugorët
Shqiptarët, teksa një pjesë e mirë e kanë përfunduar garën në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, kanë nisur të mërziten në fshatin olimpik. Ndoshta nuk kanë faj, sepse po bëjnë dy javë në atë fshat, ku duket se janë konsumuar të gjitha dhe nuk ka mbetur asgjë për të zhbiriluar. Aq më shumë që koha në Londër, ftohtë e me shi, nuk premton as për një shëtitje të zakonshme. Kjo edhe pse, fshati olimpik, me trena të shpejtë, është veçse shtatë minuta nga qendra e kryeqytetit anglez.
Në godinën shtatëkatëshe të fshatit olimpik, në katin e parafundit janë vendosur të gjithë olimpistët shqiptarë, të cilët kanë për “komshinj” Portugalinë. Përballë tyre Kanadaja, Argjentina e Holanda. Shumë foto kanë bërë olimpistët shqiptarë me VIP-at e olimpiadës, që nga Gasol i Spanjës, Serena e Vanesa Uilliams, Kobi Brajan e Le Bron Xhejms. Nuk kanë munguar as ndeshjet e bilardos në kohën e lirë. Por dhe pse ndodh kështu, shqiptarët kanë nisur të mërziten në fshatin olimpik. Edhe 12 ditë atje, të gjithë vijnë së bashku më 14 gusht, kur konkurrimi përfundon më 5 gusht. Sepse gjithçka është konsumuar dhe ajo që ka mbetur është të shijojnë garat, ku interesi nuk është ai fillestar. As për të bërë tifozllëk. Nervi është ftohur...