Shqiptarët, një Komb, një Kombëtare!
   15/9/2012


Kam qenë në dyshim këto ditët e fundit për t’u prononcuar, apo jo,  rreth çështjeve të shumëpërfolura në disa media dhe forume  shqiptare. Duke i vlerësuar qëndrimet, shprehjet dhe batutat si emocionale, kam menduar t’i pres me heshtje e t’i kaloj me qetësi por… pas konstatitmit se ato filluan të përdoren për qëllime e interesa të paracaktuara, vendosa të jap një opinion, për të treguar të vërtetën e cila është brenda, prezente dhe e pastër tek shumë e shumë njerëz që  janë të lidhur me futbollin shqiptar.
Paradoksi i debateve të fundit ka marrë shkak prej humbjes në Zvicër, sepse në rastin e kundërt, por edhe të një barazimi, të gjithë do të trajtoheshin si heronj, ku superlativat do të preknin qiellin, ashtu siç ndodhi me fitoren kundër Qipros në Tiranë (shih mediat e datës 8 shtator 2012). Në këto dy ditë kam nënvizuar komente pa fund dhe vërej me keqardhje  se tek negativet ka një refren, të cilin duket sikur e kanë përgatitur një grusht njerëzish, sepse fyerjet, akuzat, sharjet, denigrimi dhe balta e hedhur ngjasojnë si pikat e ujit që dalin nga i njëjti burim. Në të gjitha rastet, njeriu apo grushti i njerëzve opiniondhënës është i kulluar, patriot dhe më shqiptari nga të gjithe. Ky model i degjeneruar i  tipit të keq, shpesh me identitet të humbur, për qëllime, apo interesa të caktuara, sulmon ndyrësisht gjithkënd pa fakte, pa argumente dhe pa vërtetësi. Ky tip modeli, të cilit nuk i plotësohen interesat e ngushta e meskine  kërkon të zëvendësojë grabitjen me maska me grabitjen nëpërmjet  gazetave e kamerave, që fatkeqësisht komandohen ende prej tyre. Federata Shqiptare e Futbollit dhe unë personalisht përbëjmë një institucion i cili punon, funksionon dhe përparon përkrah të gjitha homologeve në Europë dhe Botë. Natyrisht që çdo gjë nuk është e përkryer, pa të meta e gabime në rrugën e shkelur deri më tani, por ju siguroj se në çdo moment nuk rresht iniciativa për t’i minimizuar ato drejt një të ardhmeje gjithnjë e më të mirë. Këtu bën pjesë edhe rasti i përmendur për ngjyrat e faneles se Adidas-it në ndeshjen e Lucernës, e bardha me blu ishte si e Greqisë, por e bardha me të kuqe do të ishte si e Spanjës, e bardha me të zezë si e Gjermanisë e kështu me radhë për të gjitha skuadrat që kanë sponsor Adidas-in. Futbolli, puna rreth tij, investimi për të dhe kujdesi i vazhdueshëm nuk janë të lidhura patjetër me suksesin e dëshiruar. Janë shumë faktorë që përcaktojnë një gjë të tillë, nga të cilët jane privuar jo rrallë herë edhe emrat më të mëdhenj të Botës në këtë fushë. Gjithësecili nga ne duhet të mësohet dhe edukohet për më tepër respekt  ndaj punës së tjetrit, sepse në Shqipëri, infrastruktura e futbollit, cilësia e tij, masiviteti dhe përfaqësimi ndërkombëtar i emblemës shqiptare është dinjitoz dhe dhjetra herë më i lartë se pak vite më parë. Kjo gjë është e dukshme, edhe pse modeli i keq tipik nuk e sheh; kjo gjë është e prekshme, edhe pse modeli i keq tipik nuk e takon; kjo gjë është e vërtetë, edhe pse modeli i keq tipik është gënjeshtar, shpifës dhe interesaxhi i vogël. Të këqinjtë në minorancë nuk e dinë, por dhe nuk duan ta pranojnë se vetëm brenda një viti, nga Federata Shqiptare e Futbollit janë seleksionuar 400 fëmijë e të rinj me origjinë shqiptare, të cilët jetojnë në Zvicër, Greqi, Itali, Spanjë, Gjermani e Angli. Ata nuk e kanë idenë se në këto shtete ne kemi përfaqësuesit tanë të cilët kanë nën vëzhgim gjithçka që mund të konvertohet nesër për fanelën kombëtare. Këta opiniondhënës që nuk kanë thënë asnjëherë fjalën Shqipëria-Shqipëria në stadium nuk e dinë, por as nuk e kuptojnë se në Kombëtaren nën 17 vjeç luajnë 7 shqiptarë të talentuar të diasporës,  tek nën 19 vjeç janë 6, tek nën 21 vjeç, 7, tek Kombëtarja e Femrave 10 të tilla, ndërsa për Kombëtaren A dihet tashmë botërisht prezenca e tyre. Pra këta futbollistë, ndonëse me mundësi të tjera, kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë, kanë preferuar ta fillojnë ndeshjen nën Himnin tonë Kombëtar. Për të gjithë futbollistët e tjerë me origjinë shqiptare, të cilët luajnë me ekipet e shteteve të ndryshme, unë personalisht respektoj nivelin e tyre cilësor dhe profesional, ndërsa përsa i takon zgjedhjes, gjithësecili, të shprehur apo të mbyllur, NDJENJEN  KOMBETARE e mban në gjykimin e ndërgjegjes së vet. Mbetem brenda idesë se askush nuk mund të dëmtojë Kombëtaren e tij.  Ata që duan të bëjnë “kapital”, plotësojne interesa, shpifin, shajnë, fyejnë, denigrojnë, grabisin ose shesin mend nën petkun e patriotizmit  mbeten të gabuar, jetojnë me turp e përfundojnë në harresën e degraduar.
Presidenti i FSHF-së Armand DUKA

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich