Kupa e Gjermanisë Grojther Furthi i Mavrajt është jashtë; Meha sërish në gol me Paderbornin!
Mbrojtësi justifikon paraqitjen e dobët me fillimin e sezonit, ndërsa rrjeta e mesfushorit kosovar nuk ka mjaftuar
Mërgim Mavraj dhe Grojther Furthi nuk e kanë nisur ashtu si duhet sezonin e ri futbollistik në Gjermani, pasi u eliminuan të shtunën në fazën e parë të Kupës së Gjermanisë, ndaj skuadrës Oberhauesen. Skuadra ku mbrojtësi kuqezi është zgjedhur kapiten dhe me të cilën u diplomua në Bundesligë, luajti një ndeshje të dobët. Mavraj, në përfundim të ndeshjes u shpreh i zhgënjyer: “Na vjen keq, sidomos për tifozët, të cilët prisnin më shumë, por nuk ishte një ndeshje e lehtë. Sigurisht, njerëzit presin që ne të luftojmë për titull, por nuk është ashtu, sepse çdo ndeshje ka vështirësitë e saj dhe ne do të përpiqemi që të sigurojmë mbijetesën”. Ndërkaq, vazhdon të shënojë rregullisht shqiptari tjetër që shumë shpejt mund të thërritet në Kombëtare nga Xhani de Biazi. Bëhet fjalë për kosovarin Alban Meha, i cili dje shënoi për Paderbonin në sfidën e Kupës ndaj Arminia Bilefildit.