Elton Muçollari nga dita e djeshme është zyrtarisht pjesë e Tiranës. Mesfushori është takuar me administratorin e klubit Salih Tagani dhe pas pak minutash në tavolinë ai është bindur të pranojë ofertën e bardhebluve. Muçollari ka firmosur një kontratë një vjeçare me opsionin për të rinovuar sërish vitin e ardhshëm, nëse gjërat shkojnë mirë. Ka shtrënguar duart me drejtuesit e klubit dhe ka nxituar të marrë çantën për t’u grumbulluar me skuadrën bardheblu.
Muçollari – Tre muaj më parë, Hulian Rubio i bëri të ditur drejtuesve të Tiranës preferencën e tij për një lojtar të Kastriotit. Spanjollit i kishte mbetur mëndja tek Muçollari. Me fundin e sezonit bardheblutë e kontaktuan, por sapo emri i tij u lakua në media disa skuadra u vunë në ndjekje të tij. Vllaznia, Kukësi e në fund dhe Flamurtari tentuan t’a joshnin mesfushorin për të mos u transferuar te Tirana. Bardheblutë u treguan më konkretë se rivalët dhe në fund arritën të zyrtarizonin marrëveshjen me të.
Hysa – 24-herë kampionët, pasi kanë afruar në skuadër tre përforcimet e para kanë piketuar tani objektivin e rradhës. Vilfor Hysa mund të riveshë fanelën bardheblu. Tagani e ka telefonuar dy ditë më parë ndërkohë që sot mund të ketë një tjetër kontakt fillimisht dhe më pas palët mund të ulen në tavolinë për të biseduar konkretisht. Pas largimti të Azirit, Tirana ka nevojë për një lojtar të shpejtë dhe Hysa ofron të gjithë parametrat e nevojshëm.
1
vjeçare është kontrata që ka firmosur dje në mesditë Elton Muçollari me Tiranën. Nëse gjërat shkojnë mirë, palët kanë lënë të hapur mundësinë për të rinovuar sërish me një tjetër vit verën e ardhshme.