Nigeriani i Skëndërbeut, Nuredin Orelesi, më në fund, është bashkuar mbrëmë rreth orës 21:00 me pjesën tjetër të skuadrës, në Austri. Mesfushori 23-vjeçari ishte kthyer në një çështje tek kampionët e Shqipërisë pasi duhej të kishte udhëtuar sëbashku me pjesën tjetër të grupit në Tirol, por e ka shtyrë paraqitjen e tij për disa ditë më vonë, çka solli dhe vonesa në nxjerrjen e vizës. Drejtuesit e skuadrës ishin të qetë përsa i përket rikthimit të lojtarit, pavarësisht pretendimeve që skuadra nigeriane ka për të. Ata janë shprehur që kartoni i lojtarit është në duart e tyre dhe ai duhet të kthehet në Nigeri por korçarët nga ana tjetër kanë një kontratë të rregullt me lojtarin dhe tani ai ndodhet në Austri me ekipin korçar. Orelesi do të vazhdojë që sot stërvitjen pasi është pak mbrapa me ritmin e shokëve të tij të skuadrës. Ardhja e tij tek Skëndërbeu dhe dëmtimi i Shkëmbit do të sjellë ndryshime në repartin e mesfushës pasi në dy ndeshjet miqësore të zhvilluara në Austri ka qënë një repart i “arnuar” në krasim me atë që korçarët kanë luajtur gjatë sezonit të fundit.