Armando Sadiku te Xhenoa. Në të ardhmen s’duhet fshirë si pistë. Enriko Preciozi, presidenti i skuadrës kuqeblu në Serinë A, një mik i ngushtë, por edhe biznesi, me kreun e ekipit të Luganos, Renxeti, ka vendosur që të paguajë 500 mijë euro të skuadra e Lokarnos për të siguruar kartonin e sulmuesit elbasanas, i cili është ende nën kontratë me ekipin zikaltër. Padroni xhenoan është gati që të bëjë këtë investim për të ardhmen, në mënyrë që Sadiku, vetëm 22-vjeç, të rritet profesionalisht dhe, nëse do të bindë, do të transferohet menjëherë në Itali, pikërisht me kuqeblutë, ku aktualisht s’do të gjente hapësira. Ai që po merret me këtë marrëveshje është agjenti i njohur Sokol Haxhia, i cili ka nisur edhe kontaktet. “Nuk di asgjë në lidhje me të ardhmen, por mund të them se Lugano është një nga pistat më të realizueshme”, u shpreh dje për “Sport Ekspres”, Sadiku, i cili gjithashtu mundësinë për të luajtur te Xhenoa e sheh si një ëndërr: “Do të ishte fantastike”. Mësohet gjithashtu se Sadiku, nëse do të transferohej te Lugano, do të fitonte një rrogë shumë më të madhe nga ajo që merrte te Lokarno. Në këtë marrëveshje, vendimtare është edhe ndërhyrja e trajnerit të ri të Luganos, Davide Morandi, i cili sezonin e shkuar drejtori pikërisht ekipin e Sadikut, Lokarnon.
Me pushime - Ndërkaq, Sadiku ndodhet aktualisht me pushime në Shqipëri, në prani të familjes. Sulmuesi po pushon në Elbasan, por gjithashtu nuk ka ngurruar të qëndrojë disa ditë në Vlorë, apo Durrës.