Roxher Federer vazhdoi sprintin e tij në turneun e fundit të vitit, Mastersin e Londrës, duke kaluar në finalen e madhe në arenën "O2". Mjeshtri zviceran, në kërkim të Mastersit të tij të gjashtë në karrierë (do të ishte një rekord absolut, pasi Ivan Lendl e Pit Sampras janë ndalur në kuotën pesë), mundi në gjysmëfinale, pas plot 1 orë e 25 minuta lojë, spanjollin David Ferrer me rezultatin e pastër 7-5, 6-3 (fitorja e 12-të për Roxherin në po kaq takime ndaj spanjollit, numri 5 në Botë). Ndeshja ruajti ekuilibrin deri në avantazhin 5-4 për Ferrerin në setin e parë. Më tej Federer futi marshin e lartë dhe fitoi pesë gejme radhazi, me dy break, duke shkuar në avantazhin 7-5, 2-0, për të kontrolluar më pas me shërbim deri në fund. Dy break ishin të mjaftueshëm deri në gejmin e fundit të ndeshjes, kur Ferrer e dorëzoi sërish shërbimin e tij. Por Federer konfirmoi edhe një herë formën e tij të jashtëzakonshme në këtë fazë finale të sezonit: 24 gjuajtje fituese ndaj 8 të Ferrer, asnjë pikë për break e lejuar. Federer falë fitores së djeshme do të rikthehet në podiumin e renditjes Botërore ATP duke kaluar sërish Andi Marrein në vendin e tretë, ndërsa Novak Xhokoviç e Rafael Nadal, të dy të eliminuar që në grupe në këtë turne, ruajnë vendet e para, madje me distancë ndaj mjeshtrit të madh zviceran.