Për shumë është piloti më i mirë sepse kur gjithçka duket e humbur dhe niset nga vendi i 11-të në një pistë ku parakalimet janë shumë të vështira, ai beson gjithsesi tek rikuperimi. E kështu, Fernando Alonso mahniti Botërorin dje pasdite, duke i rrëmbyer rivalëve 25 pikët e fitores në garën e Europës, në pistën e Valencias.
Një bishë - Përpara tifozëve të tij spanjolli pilotoi Ferrarin si një bishë e plagosur nga kualifikuesja e vështirë e së shtunës, duke fituar një garë që mund të prishë përfundimisht ekuilibrin e Botërorit. I dyti u rendit Raikonen, i treti Shumi. Fetel, që po dominonte, u tërhoq për një problem teknik e kështu Alonso mori kreun e renditjes. Kjo është një fitore shumë e rëndë sepse ishte e papritur pas eliminimit të dy makinave Ferrari në pjesën e dytë të kualifikueses. Dhe duke parë dhe tërheqjen e Hemiltonin, që u përplas nga Maldonado në xhiron e fundit, renditja e Ferrarit u bë papritmas fantastike.
Fati - Sigurisht, u desh edhe pak fat. Por ndihmat e pamohueshme të fatit kanë qenë të merituara falë një serie parakalimesh magjike, që në 30 xhiro e kthyen Alonson në podium. Dhe kështu i thye edhe tabuja e një fituesi të ri në çdo garë, pasi pas shtatë të tillësh Alonso bëhet i pari që fiton garën e dytë këtë sezon. Në pikë hynë dhe Ueber, Hulkenberg, Di Resta, Baton e Perez. Dështoi Masa.
Starti - Në nisje asnjë problem për Fetel e Hemilton, ndërsa Grosjan “heq qafe” Maldonadon. Alonso fiton tre vende por bllokohet i teti pas Hulkenbergut. Fetel zhduket nga pamja e Hemiltonit dhe pozicionet nuk ndryshojnë deri në ndalesën e parë.
Drama - Këtu Alonso fiton disa vende dhe nis parakalimet ndaj pilotëve që qëndruan në pistë. Dhe e gjen veten i katërti. Por më pas vjen edhe Makina e Sigurisë, që zeron distancat dhe bën që të gjithë pilotët e kreut të hyjnë në bokse. Te MekLareni gabojnë dhe Alonso del i treti. Në rinisje parakalon shkëlqyeshëm Grosjan dhe vihet pas Fetelit, vetëm një sekondë para tij. Por Red Bulli i tij prishet dhe Alonso e gjen veten i pari. Grosjan nuk dorëzohet por edhe atij i prishet Lotusi. Hemilton është i dyti e Kimi i treti, por finlandezi e kalon anglezin në vështirësi të cilit i afrohet edhe Maldonado. Dhe në tentativën për parakalim venezuelani gabon dhe e përplas në pistë, duke i hequr fare zonën e pikëve.
Notat e pilotëve
Alonso 9,5 - Ndoshta meriton 10, por maksimumin po e ruajmë për ndonjë rikuperim nga vendet e fundit, jo nga i 11-ti. Gjithsesi, paraqitja e spanjollit ishte fantastike, për fitoren më të bukur në karrierën e tij, që i jep edhe shkëputjen në renditjen Botërore.
Fetel 9 - I pafat, sepse para daljes së Makinës së Sigurisë ishte 20 sekonda para vendit të dytë dhe edhe pas saj dukej se po shkonte drejt një fitoreje vërtet dominuese. Por Red Bulli e la në “baltë”.
Grosjan 8,5 - I vetmi rival për Fetelin deri sa edhe atij iu prish makina Lotus. Një parakalim fantastik ndaj Hemiltonit dhe shpejtësi fantastike për francezin e ri që po lë gjurmët e tij në Formula 1.
Hemilton 5 - Tentoi të ruante gjakftohtësinë si gjatë gjithë vitit deri tani, por kur gomat e MekLarenit e lanë në baltë në xhirot e fundit gaboi duke tentuar mbrojtjen ndaj Maldonados. U nxitua!
Raikonen 7,5 - Nuk kishte ritmin e shokut të skuadrës Grosjan dhe në fund nuk kaloi dot Alonson për fitoren, por Kimi bëri një garë shumë të mirë duke parë rrethanat, duke marrë një vend të dytë.
Shumaker 7,5 - Në fillim në hije, si në gjithë garat e sezonit, por në xhirot e fundit “luan” i kohëve të arta, me parakalime magjike që kishim kohë pa i parë në F.1. A të jetë rikthyer vërtet Shumi?
Ueber 7 - Fetel, me të njëjtën makinë, fluturonte, ndërsa ai e bëri vetëm në xhirot e fundit duke parakaluar shumë pilotë me gomat e tij të buta. Shumë pak dhe pse është i dyti në Botëror me 91 pikë.
Baton 4 - Ku përfundoi piloti që vjet shihej si ylli kryesor i F.1 bashkë me Fetelin? Një tjetër garë mediokër dhe lamtumirë titull.
FERNANDO NË DELIR
“Triumfi më i bukur
i karrierës sime!”
“Kur preva flamurin e shahut i pari nuk
përmbaja dot emocionet. Festa para tribunës
së tifozëve spanjollë ishte vërtet magjike”
Fernando Alonso nuk
përmbante dot gëzimin. Ferraristi fitoi garën e Valencias duke u nisur nga vendi i 11-të, me parakalime dhe probleme e gabime të rivalëve. Një përzierje fantastike që i dha një sukses jetik për betejën e Botërorit, ku tani është shkëputur me 20 pikë distancë ndaj Mark Ueberit të vendit të dytë, sepse Fetel e Hemilton morën nga një “0” në renditje. “Është e vështirë të shprehësh me fjalë atë që ndjej tani”, ishin fjalët e para të tij në konferencën për shtyp. “Fitoret në shtëpi janë të veçanta, në 2006-n kisha triumfuar në Barcelonë me Renonë, por sot garoj për një skuadër speciale, për Ferrarin. Tifozët kishin ardhur këtu me shumë flamuj të Spanjës e të Ferrarit dhe unë jam krenar që fitova në shtëpi, asgjë nuk krahasohet me këtë triumf. Ishte një klimë fantastike edhe pas fitores së Spanjës me Francën në çerekfinalet e “Euro 2012” dhe këtë e ndjeva kur ndalova makinën përpara një tribune të tifozëve, që më kërkonin të kërceja me ta”. Por kjo ishte dhe fitorja më e bukur për “Nandon”, duke menduar nisjen nga vendi i 11-të. “E tillë është Formula 1”, tha më tej Alonso. “Tani rezultatet janë të paparashikueshme, por unë nuk rreshta kurrsë së besuari, sidomos në këtë sport ku elementet mekanikë, strategjitë dhe parakalimet mund të ndryshojnë gjithçka në pak sekonda. Sot gjithçka shkoi në mënyrë perfekte, bëra një nisje të mirë dhe disa parakalime fantastike, madje me Grosjanin dhe u preka pak. Por në fund edhe fati ishte në anën time dhe tani dua të shijoj çastin”.
Fetel: Sa pa fat!
“Nuk e dimë ende pse makina u prish në xhirot e fundit. Humba marshet dhe motori u fik papritmas. Më vjen shumë keq, sepse isha i pari dhe mund ta kisha fituar garën. Para se të dilte Makina e Sigurisë në pistë isha duke dominuar garën dhe avantazhi që kisha ndaj Grosjan ishte lehtësisht i menaxhueshëm. Por në pista të tilla si Valencia ky rrezik ekziston gjithnjë, ndaj nuk kam ç’të bëj. Është një goditje e rëndë për Botërorin, por nuk dorëzohem kurrë”.
Luisi, i heshtur
Luis Hemilton nuk pranoi të komentonte incidentin me Maldonadon që e nxori nga gara e Valencias, dhe pse u duk qartë që faji ishte i pilotit të Uilliamsit. “Dua të përgëzoj Fernandon për një fitore fantastike”, tha ai. “Ishte një ditë e vështirë për ne, por këto janë garat dhe tani nuk kam ç’të bëj tjetër. Podiumi ishte më se i mundshëm por tani të kthejmë sa më shpejt sytë nga gara e radhës”.
Lumturohet Shumi
Mikael Shumaker arriti për herë të parë podiumin këtë sezon me Mercedesin, duke bërë disa parakalime fantastike në fund të garës. “Kur më thanë që kisha dalë i treti nuk e besoja dot”, tha ai. “Por ekipi bëri një punë të shkëlqyer me strategjinë ndaj jam i lumtur”.
Mërzitet Raikonen
Kimi Raikonen nuk u shpreh i kënaqur me vendin e dytë në Valencia, sepse shpresonte tek fitorja. “Me ritmin që kishim mund të fitonim por në fund gomat u konsumuan tej mase”, tha finlandezi. “Kemi bërë një hap përpara, por tani na duhet ngjitja e fundit drejt fitores”.
Rezultatet
1.Alonso 1h44’16"649
2.Raikonen + 6"421
3.Shumaker + 12"639
4.Ueber + 13"628
5.Hulkenberg + 19"993
6.Rosberg + 21"176
7.Di Resta + 22"866
8.Baton + 24"653
9.Perez + 27"777
10.Maldonado + 34"630
11.Sena + 35"961
12.Rikiardo + 37"041
13.Petrov + 1’15"871
14.Kovalainen + 1’34"654
15.Pik + 1’36"551
16.Masa + 1 xhiro
17.De La Roza + 1 xhiro
18.Karthikejan + 1 xhiro
19.Hemilton + 2 xhiro
20.Grosjan tërhequr
21.Fetel tërhequr
22.Kobajashi tërhequr
23.Vernje tërhequr
24.Glok nuk u nis
Klasifkimet
Pilotë
1.Alonso 111
2.Ueber 91
3.Hemilton 88
4.Fetel 85
5.Rosberg 75
6.Raikonen 73
7.Grosjan 53
8.Baton 49
9.Perez 39
10.Maldonado 30
11.Di Resta 27
12.Kobajashi 21
13.Shumaker 17
14.Hulkenberg 17
15.Sena 15
16.Masa 11
Skuadra
1.Red Bull 176
2.MekLaren 137
3.Lotus 126
4.Ferrari 122
5.Mercedes 92
6.Sauber 60
7.Uilliams 45
8.Force India 44
9.Toro Roso 6