MekLareni s'fshihet, do titullin!
   21/3/2012

Skuadra më e mirë e testimeve dimërore. Skuadra më e mirë në kualifikuesen e së shtunës, me Luis Hemiltonin në pole dhe Xhenson Batonin në vendin e dytë. Skuadra më e mirë në garën e të dielës, me Batonin të parrin e Hemiltonin të tretin. Sezoni 2012 i Formula 1 nuk mund të niste më mirë se kaq për MekLarenin dhe tani, me të drejtë, drejtuesit kryesorë të "Shigjetave të Argjendta" kanë nisur të mendojnë për gjëra të mëdha. Suksesi i Xhensonit në Melburn të bën të shpresosh për mirë në Uoking, duke e projektuar ekipin si favoritin kryesor për titullin.

Uitmarsh - E kësisoj, bosi Martin Uitmarsh nuk fshihet aspak, duke shpalosur me plot gojën synimet dhe ndjesitë e mira, duke pranuar se "skuadra u nis me këmbën e mbarë". "Duhet të përmirësojmë edhe më shumë makinën, por nëse do t'ia dilnim mbanë me shpejtësi, jam i bindur se mund të fitojmë gjëra të mëdha sivjet", tha Uitmarsh. "Sigurisht, duhet të kemi shumë kujdes ndaj rivalëve: Red Bulli, Mercedesi e Ferrari nuk do të dorëzohen lehtësisht dhe pastaj është edhe Lotusi që duket se ka reduktuar distancën me ekipet e kreut. Duke parë rezultatet e testimeve në Barcelonë, duhet të jemi të shpejtë edhe në Malajzi dhe synimi ynë është të fitojmë dhe atje".

Baton - Uitmarsh më pas i bën komplimentat e tij Batonit, fituesit të garës së parë, pas një fundjave perfekte. "Xhensoni është shumë i fortë, i pjekur dhe ka një etje të madhe për të fituar", tha më tej Uitmarsh. "Duhet të besojë se mund të luftojë për titullin e sivjetshëm. Sigurisht, ne kemi në skuadër dy pilotë shumë të mirë, që kanë qenë një herë kampionë Bote. Por rivaliteti mes tyre nuk është i sëmurë, përkundrazi, shumë i shëndoshë, sepse i bën të përmirësohen në çdo garë dhe na jep më shumë ne si skuadër. Nuk ka dyshim që duke qenë kampionë Bote askush prej tyre nuk ka qejf të humbasë por, në fund të fundit, vetëm një pilot është në gjendje të fitojë. Rëndësi ka që sivjet jemi nisur mirë, duke pasur një makinë të shpejtë e cila do t'u japë të dyve shansin të fitojnë garë".

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich