"Të vërtetën do ta zbulojmë vetëm në Melburn. Dhe ky, sidoqoftë, është Botërori më i gjatë i historisë së F.1". Luka di Montexemolo, presidenti i Ferrarit, bëri analizën e situatës që po kalon ekipi i tij gjatë një vizite në selinë e "Kokëkuqes" në Maranelo. "Pasi u takova me gjithë stafin kuptova se skuadra është e përqendruar në maksimum dhe shumë e vendosur", tha Montexemolo. "Domenikali dhe teknikët tanë kanë një dëshirë të madhe për të reaguar ndaj këtyre testimeve të dobëta në krahasim me synimet tona". "E di që Alonso ka thënë se në fillim do të vuajmë, por shpresoj që fjalët e tij të mos rezultojnë të vërteta. Ndaj them që vetëm në Melburn do të shohim realisht se si janë vlerat e skuadrave në pistë". "Ne kemi shumë vite në Formula 1", ritheksoi më tej Montexemolo. "Dhe tri garat e para të sezonit janë një kapitull më vete, pasi pistat janë tepër të veçanta dhe skuadrat nuk shpalosin gjithë potencialin e tyre. Por kur Botërori, që është më i gjati në histori, të vijë në Europë, atëherë do të duhet të jemi në maksimumin tonë, duke pasur në pistë një zhvillim të jashtëzakonshëm, siç i ka hije një ekipi me potencialin e Ferrarit". Në Maranelo, bën të ditur Ferrari, teknikët janë impenjuar në analizën e të dhënave nga testimet dhe në përgatitjen për garën e parë me modelin F2012. E gjitha kjo për të kuptuar më shumë nga një makinë revolucionare në projekt, por shumë të vështirë për t'u përshtatur në pistë dhe me "sjellje" shumë të ndryshme në kushte të ndryshme atmosferike. Sepse, siç tha disa ditë më parë Alonso, "Kokëkuqja" nuk është ende në nivelin e Red Bullit e të MekLarenit, dhe kjo mund të sjellë probleme në tri garat e para të vitit, që do të krijonte dhe distancë nga rivalët.