Kryesia zyrtarizon ekipin për në Antalia, por dhe... dënimin e Shqiponja Brahjas
Kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e mbledhur dje në mesditë, ka zyrtarizuar ekipin përfaqësues për në Kampionatin Evropian në Antalia të Turqisë, 6-16 prill. Në fakt, ashtu siç e ka cilësuar dhe kryesia, ky aktivitet është kualifikues për në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Por për femra, sepse për meshkuj, pas Botërorit të Parisit, Shqipëria i ka arritur katër norma kualifikimi. Megjithatë kryesia ka vendosur që të shkohet me ekip të plotë, i cili përbëhet: Meshkuj/Pesha 62 kg Romario Avdiraj, Pesha 69 kg Daniel Godelli dhe Briken Calja, Pesha 77 kg Erkand Qerimaj dhe Hysen Pulaku, Pesha 94 kg Ervis Tabaku dhe Endri Karina, Pesha +105 kg Isa Bala. Femra/Pesha 58 kg Romela Begaj dhe Fetije Kasaj, Pesha 63 kg Sherjana Ruci, Pesha 69 kg Manjola Karaja. Trajnerë Genc Barkiçi, Zef Kovaçi, Sami Pulaku, Gazmend Akcani. Delegacioni do të shoqërohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Ilir Kraja. Kurse gjyqtar në Evropian do të jetë Përparim Ferunaj. Por nëse Hysen Pulaku, Romela Begaj dhe Fetije Kasaj vazhdojnë stërvitjen e tyre jashtë vendit, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi dhe Bullgari, pjesa tjetër do të grumbullohet në Tiranë. Përtej kësaj, kryesia ka zyrtarizuar dënimin katërvjeçar të Shqiponja Brahjas, e cila është pezulluar për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara në Botërorin e Parisit. Gjithashtu, pas rezultateve të fundit në kampionatin kombëtar në Elbasan, kryesia ka vendosur që shpërblimi mujor prej 200.000 lekësh i Taulant Marinës t’i kalojë Romario Avdirajt për periudhën tremujore janar-shkurt-mars. Por kryesia ka miratuar dhe dhënien e një shume prej 100.000 lekësh për Erkand Qerimajn për blerje vitaminash dhe proteinash.