Skënderbeu fiton tre me një në takimin e parë për Kupë me Kastriotin. Fitore që ka ardhur shumë herë më e lehtë nga çfarë ishte menduar para takimit. Levi për herë të dytë qëkur ka ardhur tek Skënderbeu ka luajtur 4-4-2. Lojë e cila ju ka shkuar për shtat të gjithë lojtarëve. Për të ardhur tek kjo menyrë të luajturi çeku i pankinës korçare ka sakrifikuar jo pak port re lojtarë titullarë, të tillë si Bici, Orelesi e Vrapi, të gjithë futbollistë të cilën vështirë ta pranojnë stolin. Sigurisht që dhe për këtë Levi nuk e ka pasur të lehtë të rikthehet në ketë modul loje. Por, ajo humbje vetëm pak ditë më parë me Teutën e ka detyruar trajnerit t’i ndajë gjërat. Me Fagun nga e djathta e mbrojtjes e Arapin nga krahu tjetër trajneri ka gjetur dy lojtrarët që shtynin përpara vetëm atëherë kur duhej ashtu siç ka gjetur sigurinë në qendër të mbrojtjes me Radas e Gvozdenoviç, lojtarë të cilët janë orjentuar më së miri. Ndryshe nga takimet e tjera Levi ka luajtur vetëm me Bratiç diku para katër futbollistëve mbrojtës dhe Shkëmbin diku para tij. Vendosje që i ka dhënë më tepër hapësirë Muzakës e Allmuçës nga njëra anë, por dhe Shkëmbit. Në të shumtën e rasteve Plaku luante në majë e Xhafaj diku pas tij, grup që ka shkuar më së miri në lojë. Nga ana tjetër për nga vendosja pothuajse luanin si korçarët. Ndryshimi ishte vetëm nga mënyra se si luanin futbollistët e Levit, më shpejt sigurisht. Si në rastin e golave, dy prej të cilëve kanë ardhur si rezultat i një loje të nisur nga mesfusha. Me Shkëmbin protoganist. Me largimin e Xhihanit diku nga minuta e 34’ e vetëm një minutë më vonë dhe Alikaj duhet pranuar se në mesfushën krutane është hapur një gropë jo e vogël. Megjithatë, largimi i këtyre dy lojtarëve sigurisht që nuk ka pasur ndikim në rezultatin e kësaj ndeshje, qoftë dhe për atë se kur Xhihani e Alikaj janë larguar nga loja rezultati ka qenë dy me një për korçarët. Ashtu siç duhet pranuar se loja e Skënderbeut sa vinte dhe rritej, gjë të cilën e ka pranuar pas takimit edhe trajneri Ndreu, kur tha se, “Skënderbeu ka lojtarë të një niveli tjetër”. Lojtarë të cilët në këtë takim janë shprehur shumë herë më mirë se në të gjitha ndeshjet e tjera. Ndryshim që ka ardhur dhe për ndryshimin e mënyrës se si ka luajtur ndaj krutanëve kryepankina korçare. Në fakt shumë herë nën zë lojtarët e Skënderbeut e kanë kërkuar këtë vendosje. Nga ajo se pjesa më e madhe është mësuar me këtë mënyrë loje. Levi për herë të dytë luan kështu, takime të cilat i ka fituar. Dhe kur ndeshjet fitohen jo vetëm me rezultat, por ajo që është më kryesorja edhe me lojë të gjithë rrinë më shpresën se Levi nuk ka arsye të rikthehet edhe një herë tjetër tek “Rombi”. Edhe nëse do t’i duhet të sakrifikoj titullarë, si në takimin e kësaj mesjave.
Thanë pas ndeshjes.
S. Levi (trajner i Skënderbeut):
Edhe një herë tjetër çeku nuk ka pranuar të jetë në sallën e konferencave për shtyp edhe në kushte kur gazetarët kanë mbetur aty duke e pritur. Ashtu siç kanë mbetur në pritje të tij në pistën e stadiumit edhe gazetarët e Supersportit. Të gjithë sëbashku vetëm kanë shfryrë jo pak për heshtjen e njeriut që vjen nga Praga, kryeqyteti i njohur europian.
R. Ndreu (trajner Kastrioti):
“ E dija mirë se ndeshja do të shkonte kështu. Ne vërtet nuk kemi lojtarë të nivelit të Skënderbeut, por kjo nuk do të thotë se gjërat do të shkonin kështu. Sina, është vetëm një turp asgjë më shumë. Nëse vazhdojmë të jemi në punën tonë si trajner kjo vjen vetëm sepse e duan këtë profesion. Por, me gjykime si ky gjithnjë e më tepër do ta kemi të veshtirë në punën tonë më tepër”.
Golat:
8’ Shkëmbi ka lëshuar një top të shpejtë nga e djathta për Muzakën, që pasi e ka udhëhequr atë top vetëm pak ka lëshuar një top goli në zonë për Plakun, lojtar që ka shënuar. Loja ka filluar më së miri për korçarët. 1-0
10’ Dy minuta më vonë kanë qenë krutanët ata që kanë barazuar gjithçka me Inkangon, lojtar që është ndodhur në vendin e duhur në zonë korçare prej nga se ka pasur aspak të vështirë të barazojë. Loja vërtet ka nisur edhe një herë nga e para, por me këtë barazim në Kupë gjërat janë ndryshe.1-1
16’ Edhe një herë tjetër Shkëmbi. Kësaj rradhe në një goditje dënimi. Topi i tij është kthyer nga mbrojtja krutane, por Radas ka qenë më e shpejt se gjithë të tjerët. Duke shënuar padyshim golin më të bukur të ndeshjes, gol që ka shpejtuar tja dhuroj gruas e gjendur në tribunën VIP.2-1
52’ Goditje këndi për Skënderbeun. Shkëmbi si zakonisht për të kryer gjuajtjen. Kapiteni pasi ka parë mirë Bratiç diku në passhpinën e krutanëve e ka dërguar topin pikërisht aty, ku kroati me kokë ka shënuar golin e tretë për korçarët, gol ky i sigurisë për ekipin e Levit.3-1
Mendimi i Specialistit.
Gentian Liçi. Ndryshe nga takimi i humbur për kampionat me Teutën në këtë të fituar për Kupë me Kastriotin, më duhet të them se kemi parë një skuadër shumë herë më të lidhur në lojë, lidhje gjithnjë sipas meje që ka ardhur dhe nga ndryshimi i modulit të lojës. Për ta thjeshtuar pak më tepër, lidhja e grupin në këtë takim ka ardhur nga ajo se Levi ka guxuar të luaj me dy sulmues. Shkurt me 4-4-2 e gjithë skuadra ka funksionuar, lojë të cilën trajneri nuk ka arsye të mos e ruaj edhe për takime të tjera. Përsa i përket Kastriotit kam mendimin se mbetet nga skuadrat kryesore të sezonit, por jo deri aty sa të “hahet” me ekipe të nivelit të Skënderbeut”.
Spikati:
Bledi Shkëmbi. Kapiteni për aq sa ka qenë në lojë ka qenë padyshim lojtari më i mirë. Edhe për atë se të tre golat e Skënderbeut vërtet nuk kanë për autor kapitenin, por sigurisht që janë nisur vetëm prej tij. Por, akoma më tej për aq sa Shkëmbi ka qenë në fushën e lojës skuadra ka qenë shumë herë më e “kopsitur” në lojë. Në fakt me Shkëmbin Skënderbeu është gjithnjë ekip më sulmues.
Veçojmë:
- Deri dy orë para ndeshjes me krutanët qyteti juglindor është “mbytur” nga shiu. Për fatin e mirë e gjithë ndeshje është luajtur në një kohë të mirë.
- Humbja për kampionat me Teuten e ka zbrazuar pothuajse stadiumit. Megjithatë ultrasit nga njëra anë por dhe atë që kanë vite që e ndjekin këtë ekip nuk kanë munguar.
- Si zakonisht “Bosi” i kampionëve e ka parë takimin në shoqërinë e miqve të vet, ndërsa pak më lart se ai të ulur në VIP kanë qenë sëbashku deputeti Gjergji Papa e Prefekti Andrea Mano.
- Para takimit për të gjithë tribunën kryesore RedBull falas, gjë e cila duhet thënë ndodh para të gjitha ndeshjeve.
- Një grup i vogël tifozësh krutanë nuk kanë munguar në stadiumin e qytetit juglindor të cilët gjatë gjithë kohës janë munduar të përkrahin skuadrën e tyre.