Mbrojtësi serb i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç, në prag të sfidës së Champions League ndaj Debrecen është shprehur se ekipi kundërshtar është një skuadër shumë më e fortë, por Skënderbeu do ta provojë shansin e tij për t’u kualifikuar. Përsa i përket të ardhmes ai është shprehur se gjithçka varet nga biseda që do të ketë me drejtuesit e klubit.
- Ivan, a mund të themi se edhe për një sezon tjetër jeni lojtar i Skënderbeut?
- Unë nuk kam pasur akoma një bisedë konkrete me drejutesit e klubit. Përderisa ne nuk kemi folur akoma konkretisht për këtë fakt, atëherë nuk mund t’i përgjigjem pyetjes tuaj.
- Kjo do të thotë se mund të luani edhe me një ekip tjetër?
- Këtë nuk e thashë. Nëse do të jem lojtar i Skënderbeut apo i ndonjë skuadre tjetër për sezonin e ardhshëm, do të mësohet vetëm pas bisedës që do të kem me presidentin Zeqo.
- Drejtuesit pak ditë më parë kanë bërë me dije se katër lojtarë të huaj nuk largohen nga Skënderbeu, e mes tyre jeni edhe ju
- Unë gjithnjë e kam thënë se më pëlqen të jem pjesë e kësaj skuadre, për shumë arsye. Më duhet të them edhe një herë tjetër pas bisedës me presidentin merret vesh gjithçka.
- Atëherë vijnë tek skuadra hungareze, Debrecen. Si ju duket kundërshtari?
- Ekip shumë i fortë. Për mua është një ekip i njohur në Europë. Ne të gjithë duhet të jemi “me këmbë në tokë”. Duhet të japim maksimumin pasi nuk është skuadër që mund të kalohet lehtë.
- Sipas jush, a mund të jetë më i lehtë se Apoel-i?
- Për mua jo, sepse kjo skuadër ka një histori më të madhe se Apoel-i.
- Por në futboll nuk mjafton gjithnjë historia, apo jo?
- Në të paktën e rasteve mund ta themi këtë.
- Më këtë, doni të thoni se Skënderbeu e ka të vështirë kualifikimin?
- Nëse ne paraqitemi mirë në ndeshjen e parë, atëherë shanset mund të jenë edhe të barabarta.
- Kush mund ta fitojë titullin, sezonin e ardhshëm?
- Skënderbeu edhe për këtë kampionat e ka grupin e duhur. Ky është vetëm mendimi im, por ju siguroj se nuk gaboj lehtë, dhe këtë e them nga përvoja. Sigurisht, duhet pasur kujdes nga Flamurtari dhe Tirana, që kanë ndërtuar ekipe të forta.
Barazim në
miqësoren
e fundit “austriake”
Universitatea 0
Skënderbeu 0
Korçarët barazojnë pa gola në miqësoren e fundit,atë të luajtur me ekipin e njohur rumun të Universitatea, në një ndeshje që e ka lënë të kënaqur trajnerin Stanislav Levi. Shumë më tepër kur edhe në këtë takim ka qenë e detyruar të ndryshoj diçka jo vetëm te grupi, por edhe nga mënyra e lojës. Pas këtij takimi, Skënderbeu rikthehet në shtëpi, aty ku Levi do të bëjë gati skuadrën për dy ndeshjet me skuadrën hungareze të Debrecenit. Ja si luajti Skënderbeu: Shehi; Fagu, Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Allmuça, Bratiç, Vucaj, Orelesi, Muzaka, Xhafaj.
Axhenda
17 korrik
Do të luajë ndeshjen e saj të parë në Kupat e Europës, duke u ndeshur me skuadrën e Debreçenit, në Korçë.
24 korrik
do të zhvillohet ndeshja e kthimit, mes Skënderbeut dhe Debreçenit, në Hungari