Flamurtari ndez dritat, Honvedi i “heq sigurecën”!
   6/7/2012

“Ejani në stadium”. Me këtë thirrje, Tirana, Flamurtari dhe Teuta i ishin drejtuar tifozëve për të ndjekur sfidat e Europës, në një moment kur një sukses do t’i jepte shkëndijën e nevojshme edhe pasionit të njerëzve për skuadrat shqiptare. Por, përveç Tiranës, Flamurtari dhe Teuta kanë zhgënjyer plotësisht. Sidomos djemtë e Shkëlqim Muçës, nga të cilët prisnin shumë të gjithë, me një sulm që përveç se është më i shtrenjti i Superiores, u paraqiste në shiritin e startit si “atomik”. Asgjë nga parashikimet nuk ka dalë dhe Honvedi ka arritur të fitojë, duke realizuar në të vetmin aksion të rrezikshëm të ndeshjes. Nëse nuk quhet racionalizëm ky! Dhe të mendosh që ndeshja kishte nisur në ritmet e duhura për kuqezinjtë, të cilët të mbështetur edhe nga publiku i tyre, ushtruan presion që në sekondat e para në portën e hungarezëve, të cilët u mbrojtjën dhe u përpoqën që të dilnin me kundërsulm. Megjithatë, sulmet vlonjate ishin tepër të zbehta dhe “pa busull”, kjo pasi dyshja e mbrojtjes së Honvedit, formuar nga Ignjatoviç dhe kapiteni Debreçeni, bllokuan më së miri sulmuesin Pejiç. Edhe Progni nuk e pati jetën e lehtë në krah, pasi Lovrik i bllokoi të gjitha inisiativat, ndërsa vetëm Soza pati më shumë hapësirë, por duke mos qenë asnjëherë i rrezikshëm për skuadrën e tij dhe duke mos krijuar superioritet numerik. Në pjesën e parë, madje, i vetmi rast kur vlonjatët rrezikuan së tepërmi ishte kur Pejiç, i çmarkuar mirë, arriti që të çante dhe i vetëm përballë portierit kundërshtar e dërgoi topin ngjitur me shtyllën, duke goditur në diagonale.
“Dush i ftohtë” -  Pjesa e dytë nisi me një “dush të ftohtë” për djemtë e Muçës, të cilët u kapën në befasi, sidomos mbrojtja, duke lënë të pashqetësuar futbollistin e Honvedit, Vernes, i cili nuk e kishte të vështirë që të shënonte, i pamarkuar. Një “malore” për t’u ngjitur, e cila kërkonte edhe ndihmën e Memellit, i cili u hodh në fushë nga Muça, i shtyrë edhe nga publiku. Por, sulmuesi nuk ndryshoi rrjedhën e lojës, edhe pse moduli taktik pati devijim, për shkak të daljes nga loja të Prognit dhe Sozës dhe futjes së Memellit dhe Kuqit.
Telushi, super! – Përveç Lenës, sidomos në pjesën e parë, në 45’ e dyta doli në pah mesfushori Telushi, i cili ishte më aktivi dhe madje krijoi shpesh superioritet, duke goditur edhe portën kundërshtare. Një notë pozitive merr edhe Mici, mbrojtësi i krahut, i ardhur si një futbollist pa emër nga Kamza, por që dje ka luajtur në nivele të mira.
Shpresa – Minutat e fundit, Flamurtari përveç se ka prodhuar volum loje, ka patur edhe raste, edhe pse i ka munguar finalizimi. Kjo mund të shihet si një sinjal se në Hungari do të provohet mrekullia, edhe pse s’duhen gabuar rastet që u humbën dje në Vlorë.

 

Gjika drejton gishtin
mbi futbollistët: Prisja
më shumë dëshirë!
Presidenti i zhgënjyer nga skuadra:
“Këtu varej fati i skuadrës, por nuk pashë
atë grintë që duhet për të fituar”
I zymtë në fytyrë është dukur presidenti i Flamurtarit dhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili në fund të ndeshjes tha: “Të them të drejtën, prisja më shumë nga skuadra. Duhet ta kishim marrë me më shumë dëshirë dhe të jepnin më të mirën në fushë, pasi këtu varej edhe e ardhmja e kësaj skuadre”, u shpreh Gjika, duke iu referuar faktit që në turin e dytë, nëse kalonin të parë, kuqezinjtë do të përballeshin me Anzhin e miliarderit rus, Kerimov, që do të ishte një mundësi e artë si për të arkëtuar para nga të drejtat televizive, ashtu edhe për faktin që do të fitonin nga kalimi i turit.

 

Italiani Rosi:
Nuk ka mbaruar, e kam frikë Flamurtarin!
Trajneri i Honvedit, pavarësisht suksesit në Vlorë, tregon kujdes: “Ishte
ndeshje e hapur, kështu do të jetë edhe në Budapest”
Trajneri i Honvedit, italiani Rosi, e ka ndjekur ndeshjen gjatë gjithë kohës me frikën se Flamurtari do të shënonte dhe këtë e pranon edhe kur gjyqtari i bie bilbilit: “Të them të drejtën ishte një ndeshje me të vërtetë emocionuese dhe shumë e hapur kundrejt çdo rezultati. E prisja që Flamurtari të luante kaq mirë dhe ta niste fort, me dalje të shpejta dhe pasime të shumta. Mendoj se si ata, ashtu edhe ne, krijuam rastet për të shënuar, por jam i kënaqur që ekipi im finalizoi dhe arriti të mbyllte me fitore këtë ndeshje tepër delikate. E dija që Flamurtari do të luante ashtu si e kasha parashikuar, ndaj dhe i thashë të mijëve që të qëndronin më të bashkuar dhe të mos hapeshin”. Mbi kualifikimin, tekniku qëndron me këmbë në tokë: “Nëse themi se jemi kualifikuar bëjmë një gabim të madh. Eshtë ende gjithçka e hapur dhe ashtu si fituam ne në Vlorë, mund të fitojnë ata në Budapest, ndaj duhet të përgatitemi për një tjetër 90’ të fortë dhe tensionuar në fushë”. Në fund, tekniku i bëri edhe elozhe mbrojtjes kuqezi: “Mendoj se zhvilluan një ndeshje të madhe dhe, po të mos ishte ai momenti i golit, vërtetë që do ta kishim pasur thuajse të pamundur për të gjetur rrjetën”.

 

De Biazi, tifoz i
Flamurtarit: Prisja
të fitonin sonte!
Trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, ishte i pranishëm dje në sfidën Flamurtari-Honved, por në fund të ndeshjes u shpreh i hidhëruar për kuqezinjtë: “Edhe pse jam italian dhe më takonte të isha me Honvedin, pasi trajneri i tyre është bashkëkombës i imi (Rosi), në këtë sfidë bëja tifo për Flamurtarin, pasi jam trajneri i Shqipërisë dhe doja që të fitonte skuadra e kampionatit. Megjithatë, nuk ndodhi kështu dhe më vjen keq. Më duhet të them se në futboll nëse nuk shënon, atëherë është e kot të krijosh volum loje. Kundërshtari ishte më racional. Më pëlqeu forma sportive e Veliut, ndërsa për të tjerët kam rezerva”. Trajneri i Shqipërisë e ndoqi sfidën pranë stolit të Honvedit, bashkë me trajnerin Rosi, por u ngrit në këmbë disa herë kur Flamurtari iu afrua golit.

 

Skela komenton me
hidhërim: E pamundur
të përmbyset kjo humbje!
Në tribunë, për të ndjekur ndeshjen ndaj Honvedit, ka qenë edhe ish-futbollisti i Flamurtarit, Ervin Skela, i cili e ka komentuar kështu humbjen e djeshme: “I kam shfrytëzuar këto ditë pushimi për të ardhur në Vlorë dhe për të pushuar. Me këtë rast, nuk mund të humbisja sfidën e Europës për Flamurtarin. Të them të drejtën, kisha menduar se mund të fitonim, por kjo gjë nuk ndodhi dhe jam i zhgënjyer ashtu si edhe pjesa tjetër e tifozerisë”, tha ish fantazisti i kombëtares, duke u ndalur te komenti tekniko-taktik: “Ishte një ndeshje e barabartë dhe me raste për të dy palët, por Honvedi ishte më racional dhe ishte kjo ajo që bëri diferencën në këtë takim”, tha Skela, që më pas “i shkul veshin” Flamurtarit dhe futbollistëve të tij: “Prisja më shumë vendosmëri dhe dëshirë për të arritur fitore. Duhet të shfrytëzohen rastet që të paraqiten dhe jo të shpërdorosh aq shumë”. Mbi shanset për kualifikim, Skela u tregua i prerë: “Nuk shoh asnjë shans që Flamurtari mund të përmbysë këtë rezultat”.

 

FLAMURTARI    0
HONVED    1
Shënues: / Vernes 47’
Nga Moisi Dalipi  dhe Saimir Demi
E enjte, 5 korrik 2012, ora 20:30, në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës
Flamurtari (4-3-3): Koliqi; Mici, Brahja, Veliu, Pezo, Telushi, Soza (Kuqi 61’), Progni (Memelli 61’), Pejiç. Tr.: Shkëlqim Muça.
Budapest Honved: Kemenes; Lovriç, Ignjatoviç, Debreceni, Vidoviç, Hidi (Diarra 69’), Xhonson, Vernes (Diabi 58’), Ivanshic, Tçami (Barath 85’), Delxheg . Tr.: Rosi
Gjyqtar: Sven Bindels (Luksemburg)
Anësorë: Flengi, Hofman
Kartona të verdhë: Mici, Arbri (F), Vermes, Ivanchic, Xhonson (H)

Goli
47’  Aksion nga krahu i majtë i Budapest Honvedit. Delxheg kroson në zonë dhe Vernes, i zbuluar, godet i pashqetësuar portën e Koliqit, duke e dërguar topin në rrjetë.

Episodet
7’  Progni ka shërbyer mirë në zonën e rreptësisë kundërshtare për Pejiçin, i cili ka sulmuar topin, por në momentin e fundit, mbrojtësi Debreçeni ka spastruar duke larguar topin.
19’ Aksion i shpejtë i hungarezëve. Ivanshic pason për Delxheg, i cili godet në ecje e sipër, por portieri Koliqi pret në dy kohë.
21’ Pejiç godet për të parën herë kuadratin e portës së mbrojtur nga Kemens, por ky i fundit është i vëmendshëm dhe pret.
24‘ Veliu ekzekuton një goditje dënimi dhe topi del ngjitur me shtyllën pingule.
37’ Krosim i Prognit për Pejiçin, që godet me kokë, por portieri Kemens është i mirëvendosur dhe kontrollon pa problem.
45’ Mici merr mirë krahun dhe fut për Pejiçin, që godet ngjitur me shtullën.
52’ Lena pason për Prognin, i cili gjuan në portë, por topi i goditur prej tij është i pasaktë.
62’ Telushi godet fort nga jashtë zone, ndërsa portiere pret.
65’ Hungarezët pranë golit të dytë. Xhonson nis përpara për Tçami, i cili nuk mendohet dy herë, por godet topin, i cili përfundon mbi tranversë.
85’ Kombinim mes Micit dhe Memellit, që kroson për në qendër të zonës, por Pejiç nuk ndodhet aty.
88’ Veliu ekzekuton në goditje dënimi nga 25 metra, por topi kalon përsëri ngjitur me shtyllën pingule.

 

 

 

 
Gazeta ne PDF!

Superliga
Rezultatet | Renditja
Kategoria I
Rezultatet | Renditja
Kategoria II
Rezultatet | Renditja
Cila skuadër fiton Champions League në Wembley
Borussia Dortmund
Bayern Munich