Besa - Dje në mesditë presidenti Bizhdili dhe trajneri i Besës, Gugash Magani, janë takuar për të diskutuar se kush i duhet Besës së re. “Kategoria Superiore kërkon një skuadër më potente”, ka përsëritur disa herë trajneri Magani. Fillimisht, tekniku ka këmbëngulur për mbrojtësin Ervis Kaja, më të cilin në fakt, Bizhdili ka nisur tratativat afro një muaj më parë dhe ka rënë parimisht dakord për rikthimin e tij te Besa. Çdo emër jetër që është përfolur deri tani është thjesht abuzim, saktësoi Magani. Ndërkohë, Magani ka patur edhe një takim tjetër me sekretarin e klubit dhe ndihmësin e tij në stol gjatë sezonit të kaluar, Ilirjan Berati, ku ndër të veçantat e diskutuara ishte zhvillimi i fazës përgatitore të Besës në Bullgari.
FATMIR EFICA
Bylisi - Sezoni i fundit tek Bylisi ka rezervuar për Frashërin 15 ndeshje si titullar dhe duhet thënë se ka qenë ndër lojtarët më cilësorë të skuadrës, por edhe të përfaqësueses Shpresa. Vetëm pak javë më parë, Shpresat u përballën me Rusinë, duke marrë një barazim 0-0. Nuk ishte aspak surprizë, që Frashëri ishte heroi i ndeshjes, duke ndikuar në rezultatin e takimit.
Enea Metaj
Luftëtari – Me mbërritjen sot në Gjirokastër të trajnerit Nevil Dede dhe bisedave përfundimtare me drejtuesit e futbollit bluzi do të marrë formë Luftëtari i Superiores. Tashmë trajneri e ka tagrin t’i kërkojë presidentit Bime futbollistët që i nevojiten, ndërkohë që me miratimin e tij, kryebashkiaku ka kontaktuar ditë më parë me Selimajn, Bacin, Ramadanin, Raboshtën, Çaçin, Mersinin, Shenajn, të cilët kanë firmosur tashmë. Pirro Qiqi
Shkumbini – Peqinasit ende nuk kanë vendosur për fazën e tyre përgatitore, gjë që nuk ka ndodhur më parë në këtë periudhë. Që prej një muaji, skuadra nuk ka as trajner, megjithëse prej kohësh qarkullojnë vetëm emra. Të gjithë janë vonë, ndërkohë që thuhet se sezonin e ardhshëm do të jetë një sezon shumë më ndryshe, kuptohet, për mirë.
Lulzim Resuli
Tomori – Në Berat duket të jetë një situatë e pashpresë, ndërsa futbollistët kryesorë vazhdojnë të tregohen stoikë, pavarësisht ofertave që kanë marrë nga klube të tjera të Superiores. Është folur gjatë për sponsorë të fuqishëm, ndërsa tani presidenti Nasufi ka vendosur të heshtë, si për t’i mbajtur “me gjak të ngrirë” të gjithë tifozët e Tomorit.
EDI SPAHIU
Apolonia - Të gjithë kanë pritur që dje, përpara fillimit të stërvitjes, të bëhej edhe prezantimi i trajnerit të ri të Apolonisë. Por ekipi ka vazhduar ritualin e përditshëm, i drejtuar nga dyshja Poloska-Balla. Stërvitja që ka vijuar për rreth 90 minuta ka qenë e një karakteri më shumë teknik sesa fizik. Tashmë janë vetëm ditët e para të përgatitjeve dhe skuadra nuk është formatuar, madje i mungojnë lojtarë bazë, si Rama apo Llënga, të cilët vijojnë përgatitjet e tyre individuale në Greqi. Ndërkohë, një lëvizje është bërë edhe përsa i perket drejtuesve të klubit. Ish-sekretari Liu Bistika ka paraqitur dorëheqjen pranë presidencës, për të filluar më vonë në një detyrë tjetër dhe në këto momente drejtuesit fierakë padyshim që do të hyjnë në “merkato”, jo vetëm për emrin e kryepankinës, por edhe të shefit.
Arbër Emiri