Të shtunën, në stadiumi “Zeqir Ymeri”, Kukësi do të përballet me Himarën. Është një duel mes dy ekipeve ekstremesh, teksa Kukësi është në verilindje dhe Himara në bregdetin e Jonit. “Gjithsesi,- thotë shefi i sporteve të Kukësit, Astrit Shehu,- me Himarën jemi miq të vjetër. Së bashku, para viteve 1990, kemi bërë pjesë në kategorinë e dytë, himarjotët me emrin Vetëtima e ne Përparimi i dikurshëm. Gjithmonë kemi shkuar mirë njëri me tjetrin, qoftë futbollistët, por dhe tifozët, ndërsa ruajmë konsiderata të ndërsjellta. Veç këtyre, sezonin e kaluar kemi konkurruar në kategorinë e dytë, ndërsa jemi takuar në finalen e titullit kampion, në stadiumin “Niko Dovana”. Ka qenë një duel me të vërtetë shumë i fortë, ku himarjotët kaluan të parët në avantazh, pastaj ne shënuam dy here. Gola të cilat i dhanë fitoren e titullit Kukësit. Një duel tepër korrekt, një ndeshje futbolli model. Tani jemi në kategorinë e parë, kurse dueli do të jetë shumë interesant”. “Mirëpo situata është pak edhe e ndërlikuar dhe që themi ne këndej nga veriu hyp në kalë se të vrava, e zbrit nga kali se të vrava. Kukësi, synon këtë javë, që të ngjitet më lart, duke qenë se rivali ynë Besëlidhja e zhvillon takimin e saj në transfertë ndaj Gramozit, një ekip që pat emër në superiore. Vërtetë edhe Himara, është në pozita të vështira, në vendin e 13-të. Në veri miku pret besën e fjalën e burrave e sidomos kjo për miqtë e vjetër, që vihen gjithmonë në krye të sofrës së rrumbullakët. Por kur je keq për vete e në hall, mikut i kërkon falje, kështu që duelin mes Kukësit e Himarës le ta zgjidhi fusha e blertë. Kush të jetë i zoti le të fitojë”.