Tifozët braktisin stadiumin
Menjëherë sapo kuksianët kanë shënuar golin e parë, tifozat janë irrituar edhe më shumë. Kur është shënuar goli i dytë sharjet kanë qenë në kor dhe goli i tretë i kuksianëve i ka detyruar ata të braktisin stadiumin.
Pas takimit, të mbledhur para stadiumit, një numër i madh tifozësh lezhjanë kanë drejtuar ndaj futbollistëve të skuadrës së tyre fjalët: “E shitët… e shitët”. Madje ata kanë qëndruar gjatë, derisa forcat speciale të cilat ishin prezënte në këtë ndeshje i kanë larguar. Tifozët kanë protestuar edhe nëpër rrugët e qytetit. Ndërsa inati i tyre ka qenë me futbollistët e skuadrës, ata kanë bërë dallim për tre serbët, Stojkoviç, Trajkoviç e Miliç, të cilët i kanë ftuar të bëhen pjesë e tyre, në protestën para stadiumit.
Besëlidhja-Kukësi 3-4
Shënues: Peqini 19’, Kaçi 45’, Gjorgjeviç 85’/ Jevdeviç 50’, Thana 58’, Thana 61’, Xhetani 88’ (p)
E shtunë, 28 prill 2012, ora 16:00, në stadiumin “Brian Filipi” të Lezhës.
Nga Marash Cali
Besëlidhja: Xhika, Peqini, Stojkoviç (Noka 46’), Danaj, Kepi, Dibra, Gjorgjeviç, Pepaj, Trajkoviç (Çutra 46’), Miliç (Beqiri 46’), Kaçi. Tr. R.Kulli.
Kukësi: Koci, Renxa, Lila, Premçi, Rexhepi, Lena (Allamani 49’), Thana, Jevdeviç, Mziu, Hamzaj, Malo. Tr. Sh.Berberi.
Gjyqtarë: E.Sino (Fier), A.Lamçe, N.Rrapaj (Patos)
Kartona të verdhë: Trajkoviç/ Jevdeviç
Golat:
19’ Goditje dënimi, Kaçi ka ekzekutuar mjaft mirë duke dërguar topin tek shtylla e dytë, atje ku Peqini e ka goditur me kokë, duke e përcjellë për në rrjetë dhe 1-0.
45’ Gjorgjeviç ka kaluar shumë bukur dy mbrojtës kuksianë, duke marrë krahun e djathtë. Ka pasuar tek Dibra, i cili godet, por has në reagimin e Kocit që grushton. Topi kthehet tek Kaçi, që me kokë ka shënuar dhe e ka kaluar sërish Besëlidhjen në avantazh, 2-0.
50’ Pasi topi ka qarkulluar në zonën lezhjane, pa u larguar dot nga mbrojtësit, Jevdeviç nuk e ka patur aspak të vështirë të shënojë, pasi është gjendur i vetëm përballë Xhikës dhe 2-1.
58’ E njëjta tabllo, por këtë rradhë autori i golit është Thana dhe 2-2.
61’ Duket se Thana ja merr dorën lëshimeve që bën mbrojtja lezhjane dhe sërish në të njëjtat rrethana ka kaluar Kukësin për herë të parë në avantazh, 2-3.
85’ Gjorgjeviç, i cili derdh shumë djersë ka barazuar rezultatin me një gol falë aftësive personale të tij, 3-3.
88’ Një 11-metërsh i shkaktuar nga mbrojtësit lezhjanë, i ka dhënë mundësinë zv/trajnerit të Kukësit dhe njëherazi futbollistit veteran të kësaj skuadre, Xhetani, të shënojë nga pika e bardhë, për të vulosur rezultatin final të kësaj ndeshjeje në 3-4.
Prag-ndeshja - Një javë plot tension e thashetheme ka qenë ajo që kaloi, për tifozerinë e futbollistët lezhjanë. Është përfolur se ndeshja do të blihej dhe vetëm deklaratat e drejtuesve lezhjanë të futbollit, për ndershmëri kanë bërë që stadiumi të ishte i populluar jo si zakonisht nga tifozeria vendase. Por dhe të ardhurit nga Kukësi kanë shtuar numrin e tyre, duke shuar çdo iluzion, se në këtë ndeshje do të kishte thjeshtë një komedi. E tillë ka qenë dhe paraditja e djeshme, kur kanë qarkulluar mesazhe, se loja do të jetë e ndershme dhe skuadra e Besëlidhjes do të tregojë forcën e saj të vërtetë. Madje janë parashikuar edhe masa drastike, që nëse ndeshja do të humbej, trajneri Kulli do të shkarkohej, gjë që fatmirësisht nuk ka ndodhur.
Ndeshja - Ka filluar me një atmosferë të zjarrtë, ku tifozeria lezhjane është dukur tepër e irrituar ndaj kundërshtarëve kuksianë, që sipas tyre nuk i kanë pritur mirë në ndeshjen e zhvilluar në fazën e parë, madje ka patur thirrje fyese, që kanë vazhduar edhe kur Besëlidhja ishte në avantazhin e dy golave. Lezhjanët që në fillim e kanë kontrolluar lojën, madje e kanë zhvendosur atë në gjysëmfushën kuksiane, duke ushtruar presion të vazhdueshëm. Mesfusha lezhjane, me Trajkoviç, Pepën e Gjorgjeviç funksionon shumë mirë, teksa Miliç e Kaçi, me kalimin e minutave bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm. Ndërsa miqtë mbrohen me të gjithë futbollistët, përveç Malos, i cili asnjëherë nuk tërhiqet, me mendimin për të kapur në befasi mbrojtjen lezhjane. Një pjesë e parë e shkëlqyer për lezhjanët, që në kuptimin e vërtetë të fjalës nuk ke çfarë t’i heqësh. Një skuadër futbollistët e të cilës kuptohen mjaft mirë dhe dhurojnë spektakël. Ndërkohë kundërshtari, në këtë pjesë loje ka qenë krejtësisht i pafuqishëm dhe asnjëherë nuk ka rrezikuar portën lezhjane, përjashto dy-tre goditjeve dënimi në afërsi të zonës, të cilat janë ekzekutuar shumë keq.
Zënka - Brenda kësaj pjese loje ka patur dhe një zënkë, ku një futbollist lezhjanë ka ndërhyrë ashpër ndaj sulmuesit Malo. Gjendja është acaruar dhe në fushën e lojës është parë dhe trajneri kuksian Berberi, që ka replikuar me autorin e ndërhyrjes, por brenda një minute gjithçka është qetësuar me ndërhyrjen e autoriteteve lezhjane të futbollit.
Pjesa e dytë - Tekniku Kulli kryen tre zëvendësime, largohen tre serbët që vërtetë ishin kollonat e reparteve te skuadrës së Besëlidhjes, si Stojkoviç në mbrojtje, Trajkoviç në mesfushë dhe Miliç në sulm. Deri atëherë, publiku e kishte vlerësuar lojën e tyre me duartrokitje, që e përkthyer do të thotë notë maksimale.
Loja - Si me magji, në pjesën e dytë loja e Besëlidhjes ndryshon. Madje që në minutat e para të saj, ku iniciativën e kanë kuksianët dhe lezhjanët çuditërisht janë tërhequr. Ndërsa miqtë nga Kukësi sulmojnë, lezhjanët janë pak ngacmues, jo aq fanatik në detyrat e tyre, sa krahasuar me pjesën e parë, të duket se është një skuadër tjetër. Mbrojtja krijon të çara dhe futbollistët kuksianë depërtojnë lehtësisht në zonën lezhjane, por nuk dinë të shënojnë edhe pse dalin dy-tre herë brenda pesë minutave, vetëm për vetëm me Xhikën. Por nuk e ka falur një rast të tillë serbi Jevdeviç, që shënon një gol kur është gjendur i lirë krejt afër portës së Xhikës. Ndërsa kuksianët do të shënonin edhe dy herë të tjera brenda 10 minutave, duke kaluar kështu në avantazh, por për çudi nuk kanë shprehur ndonjë gëzim të madh. Në fundin e lojës, mesfushori Gjorgjeviç, një prej futbollistëve më të mirë në fushë në ndeshjen e djeshme, me një veprim individual e ka barazuar rezultatin ne 3-3, duke ua lënë rradhën kuksianëve që të shënojnë pas tre minutash, me një 11-metërsh, pas një ndërhyrjeje të gabuar të mbrojtësve lezhjanë, në dëm të sulmuesit Hamzaj. E ky gol i Xhetanit do të vuloste rezultatin përfundimtar të këtij takimi, në 3-4, por do të krijonte pezmatim tek tifozeria, e cila nga ky rezultat është irrituar së tepërmi.