Me zemëratë e shqetësim, por edhe duke e quajtur krejtësisht të paligjshme vendimmarrjen e këshilltarëve bashkiakë të Sarandës për “sh.a.Butrinti”, ka reaguar edhe Shoqata e Futbollit, e krijuar dhe funksionuese prej vitit 2002. Kryetari i saj, Agron Beqiri, tha se “në atë mbledhje përcaktuese, do të ishte mirë të thirreshin edhe nga shoqëria civile, nga shoqata e futbollit, futbollistë, specialistë, juristë e ekonomistë. Vërtet këshilltarët kanë një votë dhe ngrenë një dorë, por ata duhet të ndërgjegjësohen më parë për atë, se pronarë të një veprimtarie me mbështetje masive siç është futbolli, nuk janë as ata dhe as bashkia, por taksapaguesit”.
Për Agron Beqirin, marrja përsipër e klubit të futbollit nga Këshilli Bashkiak, është një nga çuditë që ndodhin rrallë e që nuk duhen lejuar të ndodhin. Edhe më i tejkaluar ligjërisht quhet prej tij vendimi i këshillit bashkiak të Sarandës, pasi në çdo rast, në krye të sportklubit të futbollit është ai që përballon financimin, pikërisht kryetari i bashkisë, titullari i saj, pavarësisht nga emri dhe nga subjekti të cilit i përket. Kryetari i Bashkisë është votëbesuar për të menaxhuar vlerat e qytetit dhe nga kjo nuk bën përjashtim as futbolli. Sipas Beqirit, as propozimet për bordin nuk është këshilli bashkiak që duhet t’i bëjë, por vetëm miratimin e atyre që sjell titullari.
“Këshilltarëve që votuan për këtë absurditet, edhe në pikëpamje morale”, tha Beqiri, “nuk u takon e drejta të vendosin për fatet e futbollit në Sarandë, pasi pikërisht ata që votuan për t’i dhënë këtë tatëpjetë ekipit, nuk i kemi parë të vijnë as në ndeshjet brenda në stadiumin e qytetit e jo më jashtë fushës sonë”.
Qëndrime të tilla e fusin në tunel pa dritë dhe pa dalje tërë publikun sportdashës sarandiot, i cili ka mbetur shumë i dëshpëruar nga vendimmarrja e ditëve të fundit të 13 votave të këshillit bashkiak, ndaj Beqiri paralajmëron se, “do të ketë reagime të ashpra!”.
Thoma Nika