Në ditën e fëmijëve, Partizani ngurron të bëhet “burrë”. Por, kjo ka ardhur jo si pasojë e faktit që të kuqtë nuk e kanë dashur një fund të tillë, por sepse Gjykata e Apelit, që ishte parashikuar të zhvillohej në orën 13:00 është shtyrë për në datën 27 maj. Me këtë shtyrje vazhdon “telenovela” e lidhur me mosmarrëveshjet mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidentit Albert Xhani. Pra, i gjithë qershori do të vazhdojë të jetë “i nxehtë” për të kuqtë, tifozët e saj dhe futbollistët, që duhet të presin për të njohur të ardhmen. Por, kush e ka penguar zhvillimin e kësaj seance dhe, si pasojë, shtyrjen e saj? Sipas burimeve të gjykatës, gjithçka është shtyrë për shkak se avokati i Albert Xhanit, Fatmir Brraka, e ka kërkuar këtë, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk kishte pasur kohën e nevojshme për t’u njohur me dosjen përkatëse. Kjo gjë është kundërshtuar nga avokatët e Ministrisë së Mbrojtjes, por gjyqtarja Seqine Sollaku ka vendosur që seanca të anulohej. Ka qenë gjykatësja ajo që ka caktuar datën 27 qershor si atë për zhvillimin e saj. Por, kjo shtyrje rëndon së tepërmi pozitën e klubit, pasi duhet të regjistrohet me status të qartë ligjor dhe me aksesorët e tjerë infrastrukturor për sezonin e ri, ku do të luajë në Kategorinë e Parë, që kërkon më shumë investim se Kategoria e Dytë. Një rrezik të tillë Partizani e kaloi edhe sezonin e shkuar, përpara se të regjistrohej në Kategorinë e Dytë, pasi edhe në atë rast pati probleme të tilla burokratike, ndaj dhe ekipi u regjistrua në kohë rekord dhe me shumë pikëpyetje, sidomos ekonomike. Këto pikëpyetje tani janë shumëfishuar dhe “demat” rrezikojnë jashtë mase, pasi në rast se edhe më datë 27 qershor do të hasen pengesa, atëherë Partizani do të regjistrohej me skuadrën aktuale në Kategorinë e Parë dhe, me shumë mundësi, do të firmoste rënien sërish në të Dytën, për shkak të moskonkurrencës së organikës me skuadrat e tjera pjesëmarrëse.
1.Çështja
Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar që presidenti i Partizanit, Albert Xhani, të kërkojë kthimin mbrapsht të emrit dhe logos së klubit, pasi sipas saj ato kanë qenë gjithmonë në pronësi të shtetit dhe asnjëherë të individit. Ministria e ka çuar këtë çështje në gjykatë, ku vazhdon të luftojë edhe sot me presidentin e “demave”.
2.Shkalla e Parë
Vendimi i marrë në këtë seancë gjyqësore i ka dhënë të drejtë presidentit Xhani, që është njohur si pronari i logos dhe emrit të skuadrës, por Ministria e Mbrojtjes, duke mos qenë dakord, ka apeluar.
3.Apeli
Gjyakata e Apelit është ajo që do të japë vendimin përfundimtar mbi këtë luftë ligjore mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe presidentit Xhani, edhe pse duhet thënë se ka edhe një mundësi tjetër, dërgimi i çështjes në Gjykatën e Lartë, si nga njëra palë, ashtu edhe nga tjetra.
Shqetësimi
Partizani rrezikon që ta gjejë veten jashtë kampionatit të ardhshëm në rast se do të vonohet me dokumentacionin e regjistrimit, ose do të liçensohet kjo skuadër që është aktualisht dhe që do të hasë jo pak probleme.
Facebook
Edhe në rrjetin social kanë ardhur pakënaqësitë e para në lidhje me shtyrjen e këtij vendimi dhe, madje, ka nga ata që vazhdojnë të akuzojnë presidentin Xhani për strategjinë për të “zvarritur” këtë çështje, në mënyrë që kohë për t’u regjistruar në kampionatin e ardhshëm të skadojë dhe të mos ketë investime.
“Jemi në rrugën e duhur”, Ministria qetëson klubin
Drejtori i të kuqëve, Gjergji Thaka, i cili ka qenë dje në një takim me përfaqësues të institucionit shtetëror, u bën thirrje futbollistëve: “Duhet të jeni të përgatitur për çdo gjë”.
“Ministria më tha të qetësohem, si unë,ashtu edhe tifozët, pasi çdo gjë është në rrugën e mirë për Partizanin”. Me këto fjalë, drejtori i klubit, Gjergji Thaka, komentoi mbledhjen e zhvilluar dje me përfaqësues të institucionit shtetëror. Mbledhja është zhvilluar përpara seancës gjyqësore që u shty dhe kanë ardhur sinjale pozitive. Megjithatë, Thaka nënvizon: “Jemi ende në ajër dhe nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Shtyrja e gjyqit nuk është një gjë e mirë, pasi na e çon kështu kohën në limit për t’u regjistruar në kampionatin e ardhshëm të Kategorisë së Parë”.
Analiza vjetore – Ndërkaq, po dje, drejtuesit e klubit, bashkë me stafin teknik dhe futbollistët, kanë bërë një analizë vjetore, ku kanë folur për sezonin që sapo u mbyll, për sakrificat e bëra, por lojën e shprehur, por edhe për humbjen në ndeshjen finale ndaj Tërbunit, e cila pati dhe një jehonë të madhe për sa i përket faktit se mund të kishte pasur tolerime dhe, madje, edhe trukime të lidhura me bastet. Por, në këtë rast, nuk janë bërë emra, po ashtu edhe nuk është vendosur gishti kundër askujt. Sipas drejtorit të klubit, Thaka, skuadra pati një rënie që ishte normale, pas një sezoni të lodhshëm dhe disa futbollistë nuk mund të jepnin maksimumin në fund: “Menduam se do të ishte një finale e bukur, por nuk ndodhi ashtu. Kritikuam futbollistët dhe, madje, kërkova edhe llogari për atë ndeshje të dobët, por në asnjë moment nuk e kam menduar se dikush mund të kishte toleruar, apo shitur atë ndeshje”, tha Thaka, që më pas shtoi: “Ju drejtova futbollistëve, duke i thënë se nëse dikush mendon të shesë ndeshjet e Partizanit, atëherë le të largohet nga kjo skuadër, sepse do të thotë se nuk e ka kuptuar se bëhet fjalë për një legjendë të futbollit dhe jo një skuadër dosido”.
Stërvitja - Ndërkaq, sipas drejtorit të klubit, skuadra do të nisë stërvitjen javën tjetër në Shkollën e Bashkuar, në pritje për të parë se çfarë do të ndodhë. “Duhet t’i kemi futbollistët gati kundrejt çfarëdo lloj situate që do të paraqitet”. Madje, në analizën e djeshme, futbollistëve iu tha edhe të mbanin trupin në formë gjatë kësaj kohe, përpara nisjes së stërvitjes, për të qenë gati, sidoqoftë, pasi Kategoria e Parë është një kompeticion shumë i fortë që kërkon të japësh maksimumin. “U thashë djemve të merren me not, volejboll, apo basketboll, por edhe vrap nga liqeni. Eshtë e vetmja mënyrë që të ruajnë formën”.
Sërish Musta? – Ndërkaq, ekziston edhe mundësia që Perlat Musta dhe Marko Pelinxhi të jenë dyshja drejtuese edhe për sezonin e ardhshëm. Sigurisht, kjo dyshe do të jetë ajo që do të drejtojë stërvitjen javën e ardhshme, kur edhe do të nisë. “Të gjithë e dimë se Partizani nuk ka mundësi ekonomike për të investuar dhe ndaj s’mund të bëjmë asgjë pa marrë një përgjigje dhe pa njohur se kush do të marrë drejtimin e kësaj skuadre. Nëse do të mbetemi amatorë, apo do të investohet këtu”, përfundoi Thaka.
“Deri sa të merret një vendim në gjykatë, kjo skuadër do të vazhdojë të jetë amatore. Dhe zërat për investues të huaj, apo ndryshime logosh e kështu me radhë janë vetëm hipoteza, pasi pa u zgjidhur çështja ligjore dhe e përkatësisë së skuadrës nuk mund të ketë investime, apo projekte afatgjatë”.